E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohet për një fjalë goje, në pranga autori dhe dy persona të tjerë



TIRANË – Një fjalë e shkëmbyer me disa të rinjve para një lokali, në orët e vona të natës i ka kushtuar shtrenjtë Pajtim Elezajt. Ngjarja ndodhi në zonën e Shkozës në periferi të kryeqytet, ku shtetasi Fatjon Leka, dyshohet se është autori i vrasjes së Elezajt. Ai në bashkëpunim me një person tjetër janë larguar pasi kanë keqtrajtuar për vdekje 37-vjeçarin dhe vetëm pas rreth 12 orësh janë prangosur. Policia prangosi edhe një person tjetër, i pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi akuzohet për moskallëzim krimi.
Ngjarja
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 07.00 është gjendur i vdekur shtetasi Pajtim Elezaj, 37– vjeç, me banim në Shkozë të Tiranës. Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi i posaçëm hetimor, për të hetuar më tej mbi rrethanat e motivet e kësaj ngjarje”. Sipas zëdhënëses së policisë, Alma Katragjini, “nga hetimet e kryera në vendngjarje nga specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, rezultoi se viktima, pas një grindje të çastit me autorin e dyshuar të vrasjes, 18 vjecarin Fatjon Leka, fillimisht kanë debatuar dhe më pas ky i fundit e ka goditur me sende të forta. Autori i dyshuar, u kap në rrugën “Aleksandër Moisiu” në afërsi të Freskut, Tiranë, brenda një kohe tepër të shpejtë, falë informacioneve të poseduara nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, në policinë e Tiranës.
Hetimet
Sipas zëdhënëses, në lidhje me këtë ngjarje është marrë masa e arrestit në flagrancë për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake, ndaj shtetasit Altin Koldashi, 25 vjeç, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit në këtë vrasje. Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, iu gjend dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike m–56. Po ashtu, pas hetimi intensiv, rezultoi se i pranishëm në momentin e ngjarjes ka qenë edhe shtetasi Refik Kurti, 34 – vjec, i cili do të procedohet në hetim të lirë për konsumim të veprës penale të “Mos kallëzimit të krimit”. “Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes 18-vjeçarit Fatjon Leka, u mor masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, materialet i kësaj çështje ia kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Disa ditë më parë një tjetër vrasje misterioze ndodhi në periferi të kryeqytetit. Më 11 nëntor u ekzekutua në Tufinë shtetasi Arben Visha. Ndonëse kanë kaluar disa ditë nga ekzekutimi mafioz, ende nuk ka asnjë person të arrestuar për këtë ngjarje.

Pas 7 ditësh gjendet i vdekur në kanal 29-vjeçari i sëmurë mendor

KAVAJË – Pas një jave kërkimesh gjendet i vdekur 29-vjeçari i sëmurë mendor, i cili ishte larguar nga banesa pa lënë adresë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasi Ismail Haka, 29-vjeç, lindur në Durrës dhe banues në fshatin Shkoze, të komunës Lekaj në Kavajë është gjetur dy ditë më parë i mbytur në një kanal kullues me ujë në fshatin ku ai banonte. Burime nga policia thanë se 29-vjeçari, i cili vuante nga sëmundja mendore ishte larguar nga banesa e tij më datë 10 nëntor të këtij viti dhe nuk ishte kthyer më. Familjarët e tij denoncuan zhdukjen e djalit në polici ndërsa kjo e fundit nisi kërkimet për gjetjen e tij. Por për afro një javë askush nuk ra në gjurmët e tij, por vetëm dy ditë më parë, kufoma u pa nga persona të rastësishëm që kaluan në vendin ku gjendej viktima. Sipas policisë ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij por paraprakisht dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur aksidentalisht.

18 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›