Pezullohen 5 policë dhe oficerë për vetëvarjen në qeli
DURRËS – Vetëvarja e shtetasit Klodian Bushi në qelitë e komisariatit të Durrësit është pasuar me shkarkimin e pesë punonjësve të policisë dhe oficerëve. Burime për gazetën bëjnë të ditur se vendimi është marrë mëngjesin e djeshëm pas përfundimit të hetimeve në lidhje me këtë ngjarje. Ndër të larguarit është Beqir Gjergji, i cili ka qenë në shërbimin e rojës në momentin e vetëvrasjes. Shtetasi Klodian Bushi u gjet i vetëvarur në qelinë e komisariatit vetëm dy orë pas shoqërimit për një vjedhje. Familja e tij akuzoi policinë se e ka shtyrë 31-vjeçarin për të marrë vendimin fatal. Në mjediset e Komisariatit të Policisë së Durrësit bënë inspektim Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme dhe inspektorët e Avokatit të Popullit. Kjo bëri që të ushtrohej kontroll dhe të verifikohen të gjitha rrethanat që çuan në vetëvrasjen e Bushit. Por, zyrtarisht ende nuk janë konfirmuar emrat e personave që janë ndëshkuar për këtë ngjarje, por gazeta siguroi emrin e rojës së shërbimit, Beqir Gjergji, i cili kishte vetëm pak javë që ishte emëruar në punë si gardian. Po ashtu, në listë janë edhe disa punonjës policie dhe oficerë që kanë qenë në turn ditën kur u vetëvar me rrobat e brendshme Klodian Bushi.
Shkon të marrë me zor ish-bashkëshorten, ther me thikë kushërinjtë e saj
PËRMET – Pas sherreve që ka pasur me ish bashkëshorten e tij, në tentativë për ta marrë sërish me zor në shtëpinë e tij, në gjendje të dehur, një person ka plagosur me thikë dy kushërinjtë e saj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, rreth orës 18.00 në fshatin Gurë Këlcyrë të rrethit Përmet. Policia ka marrë informacion se shtetasi Hektor Jonuzi, 26 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gurë Këlcyrë të rrethit Përmet, në gjendje të dehur ka goditur me thikë shtetasin A.Ç, 21 vjeç, lindur dhe banues në këtë fshat si dhe shokun e tij Sokol Rustemi, 25 vjeç, që ndodhej rastësisht me të. “Të dy këta shtetas janë transportuar menjëherë në spitalin e qytetit Përmet dhe pas marrjes së ndihmës së parë ndodhen jashtë rrezikut për jetën ku mjeku i ka klasifikuar plagosje të lehta”, - thotë zëdhënësi Gentian Mullai. Sipas tij, Jonuzi, pas këtij akti, është larguar në drejtim të banesës së tij ku ka marrë një armë zjarri tip Kallashnikov dhe ka gjuajtur në ajër për disa minuta. Policia është vënë në kërkim dhe ka bërë rrethimin e vendit, duke marrë masa sigurie dhe evakuuar banorët përreth për shkaqe sigurie pasi shtetasi ishte i dehur dhe i armatosur. Pas disa minutash policia bëri të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit të lartpërmendur. “Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka qenë i martuar dhe para gjashtë muajsh është divorcuar dhe në gjendje të dehur është nisur për tek shtëpia e ish bashkëshortes për ta marrë përsëri, ku në afërsi të banesës është ndeshur me djalin e xhaxhait të ish bashkëshortes, shtetasin A.Ç dhe shokun e vet S. Rrustemi, ku më pas është përleshur me ta duke i plagosur lehtë”, - thonë burimet policore. Materialet në ngarkim të Hektor Jonuzit i kaluan prokurorisë, pasi akuzohet për veprat penale”Plagosje e lehtë”, “Armëmbajtje pa leje “ dhe “Prishje të rendit publik”.
Abuzimet në tender çojnë nën hetim kryekomunarin
POGRADEC – Shkelja e procedurave në procesin e prokurimeve ka çuar nën hetim një kryekomunar në Pogradec. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë nisën procedurat për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë” në gjendje të lirë, ndaj shtetasit Nexhmi Dokollari, 54 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Hudenisht Pogradec, me arsim të lartë, me detyrë kryetar i Komunës Hudenisht, në rrethin e Pogradecit. Sipas tyre, hetimi nisi pas kallëzimit të bërë në lidhje me zhvillimin e tenderit të datës 28.04. 2009, për rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të fshatit Hudenisht në të cilin është skualifikuar pa të drejtë nga tenderi një firmë tjetër pjesëmarrëse”. “Materialet iu kaluan Prokurorisë së Korçës”, - thonë burimet zyrtare të policisë.
18 Nentor 2009