Dega e PS-së në Athinë dhe PASOK, dënuan “protestën” e turpshme të Ruçit dhe Ballës
Denoncon Ambasadori shqiptar në Athinë
Ambasadori i Shqipërisë në Athinë Vili Minarolli, zbardh aferën e pisët të Gramoz Ruçi dhe Taulant Ballës, duke keq përdorur disa emigrantë në Athinë dhe duke sajuar një “protestë të madhe”, para selisë së OSBE.
Përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në vendin fqinj, sqaron për opinionin publik se kjo pseudo protestë u dënua fuqimisht nga dega e PS-së Athinë dhe njëherazi edhe nga strukturat e PASOK-ut atje. Sipas Minarollit interesi i shqiptarëve është ta shohin e vendin e tyre të integruar dhe jo të bëhen palë e klikës së bojkoteve që po inspiron me anë të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve Partia Socialiste.
“Më datën 2 dhjetor duke dëgjuar pasqyrën e shtypit shqiptar, u habita kur mësova se një natë më parë ishte bërë ‘një protestë e madhe’, përpara hyrjes ku bëhej konferenca, nga PS e Athinës dhe emigrantët për ‘votën e vjedhur’. Pas kësaj pyeta disa drejtues të PS në Athinë dhe ata më informuan se gjithçka ishte sajesë e tre deputetëve të PS që kishin organizuar një ‘shfaqje të turpshme’ të disa dhjetëra emigrantëve vetëm e vetëm që të mashtronin publikun në Shqipëri. Pjesëmarrësit ishin edhe socialistë, por shumica klientë të një klubi në ‘Omonia’ që i kishin marrë me dy autobusë pasi i kishin qerasur në klub.
PS e Athinës, partnere e PASOK-ut ishte distancuar nga ky inskenim dhe për këtë i kishin drejtuar edhe një deklaratë me shkrim departamentit me jashtë të PASOK-ut, me të cilin mbajnë kontakte të vazhdueshme”, u shpreh Minarolli, duke theksuar se PASOK-u ka kërkuar sqarime tek PS e Athinës se përse në media ishte përmendur që “protesta”, ishte bërë në bashkëpunim me strukturat e forcës më të madhe politike në Greqi.
Lidhur me këtë fakt, ambasadori shqiptar në Athinë, theksoi se “vetëm disa orë më parë zoti Meta bëri një takim shumë të ngrohtë, shumë miqësor dhe me dëshirë bashkëpunimi me Kryeministrin dhe Kryetarin e PASOK-ut, zotin Papandreu”.
Ambasadori Vili Minarolli nënvizoi se ka marrë një numër të madh telefonatash nga drejtues të PS në qytete të ndryshme të Greqisë, të cilët distancoheshin nga këto “protesta”, që nuk i shërbejnë as vendit dhe as atyre si emigrantë.
“Me shkrim në ambasadë u paraqit nga një grup emigrantësh, ndërmjet tyre edhe socialistë një peticion të firmosur nga më shumë se dyfishi i atyre që ishin në atë ‘shfaqje’, ku i bëjnë thirrje PS të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit, etj, të cilin do e dërgoj të plotë. Emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, i kanë dhënë vlera vendit të tyre dhe vetes të tyre. Është vepër antikombëtare t’i përdorësh ata si fasadë dhe të shpërdorosh dëshirën e tyre për të milituar në një forcë të caktuar politike, për arritje të qëllimeve politike të forcave politike në Shqipëri. Po t’u jepet të gjithëve mundësia të votojnë, ata do ta shprehin bindjen e tyre me votën e tyre. Partitë politike në Shqipëri, në qoftë se duan t’i ndihmojnë emigrantët në Greqi dhe kudo në botë, le të hartojnë ligje edhe për të mirën e tyre”, u shpreh më tej, ambasadori shqiptar në Athinë Vili Minarolli.