Romela Begaj, e 6-ta në "Pekin 2008"
Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj është renditur e 6 ta në Lojërat Olimpike "Pekin 2008", mes 12 konkurrenteve të peshës 58 kg, duke shënuar suksesin e parë në debutimin e peshëngritjes shqiptare për femra në një kompeticion kaq të rëndësishëm.
Ajo ka bërë një paraqitje dinjitoze, duke u klasifikuar në vendin e 4 t në shkëputje, me 98 kg, dhe vendin e 7 të në shtytje, me 118 kg. Ky është rezultati i parë i peshëngritjes për femra në një olimpiadë. Sukses që vjen pas rezultatit të peshëngritësit Ymer Pampuri, që në debutimin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike "Mynih 1972" theu rekordin olimpik të stilit të forcës (një stil që nuk ekziston më) dhe të peshëngritësit Ilirjan Suli, që u klasifikua i pesti në peshën 77 kg në Lojërat Olimpike "Sidnei 2000", që konsiderohet suksesi më i madh deri tani i peshëngritjes shqiptare.
Romela Begaj, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në "Pekin 2008", ngriti në total 216 kg, 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke lënë pas dhe 5 peshëngritëse të tjera, mes tyre dhe kampionen e Europës në fuqi. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg) e ka renditur në vendin e katërt, pas tajlandezes Uande Kameiam (57.25).
Por të njëjtin fat të keq me Romelën ka pasur dhe rusja Marina Shainova, e cila humbet dhe ajo vendin 3-t dhe të 4-t, sepse peshonte më rëndë se tajlandezja dhe ekuadoriania. Të trija këto peshëngritëse e kanë mbyllur stilin e shkëputjes me 98 kg dhe klasifikimi është ndarë sipas peshës trupore. Stilin e shkëputjes Romela Begaj e nisi me 95 kg në provën e parë, që e kaloi me sukses.
Në provën e dytë, po ashtu, kaloi një provë të suksesshme me 98 kg, ndërsa të tretën, në tentativën për të ngritur 100 kg, nuk e ka realizuar dot. Rezultati më i mirë personal i kësaj peshëngritëseje në stilin e shkëputjes është 101 kg.
Në stilin e shtytjes, Begaj shfaqet e sigurt dhe me pretendime për garën e saj. E nis në fillim me 110 kg, duke e kaluar provën e parë me lehtësi. Edhe në dy provat e tjera, me 115 kg dhe 118 kg, ish artistja e cirkut të Tiranës, e trajnuar nga Hektor Shaqiri, i cili i qëndronte pranë edhe në këtë kompeticion bashkë me trajnerin Genc Barkiçi dhe shefin e delegacionit, Fidel Ylli, nuk pati asnjë problem në konkurrimin e saj.
Ngazëllimin për rezultatet e arritura ajo e shprehu në pedanën olimpike me një salto të bukur, si për të kujtuar se dikur ka qenë po ashtu një artiste e talentuar e cirkut shqiptar. Rezultatin personal më të mirë në këtë disiplinë Begaj e ka 120 kg. Vlen të theksohet fakti se në Lojërat Olimpike nuk ka medalje për secilin nga stil, por vetëm në dygarësh. Me 216 kg Romela Begaj klasifikohet kështu në vendin e 6 të, mes 12 konkurrenteve të peshës 58 kg për femra.
Ky është dhe rezultati më i mirë deri tani i olimpistëve shqiptarë në "Pekin 2008". Në këtë garë, medaljen e artë e fitoi peshëngritësja Chen Yanqing e Kinës,e cila mbrojti titullin e saj në peshën 58 kg për femra, duke ngritur në total 244 kg. Kinezja Yanqing ka qenë e parezistueshme në garën e saj. Ajo ka treguar se dhe për shumë kohë nuk do të ketë rivale, përveç vetvetes. Në peshën 58 kg, ku ka konkurruar Begaj, janë thyer gjithashtu 5 rekorde olimpike.
Një rekord nga koreano veriorja O Jong Ae në stilin e shtytjes (131kg) dhe dy rekorde të tjera po në këtë stil janë thyer nga kinezja Chen Yanqing me 132kg në fillim dhe 138kg. Kjo e fundit ka thyer edhe dy rekorde në dygarësh me 238kg në fillim dhe 244 kg. Medaljen e argjendtë në peshën 58 kg e fitoi rusja Marina Shainova (227 kg në total) dhe atë të bronzit e fitoi peshëngritësja nga Korea e Veriut, O Jong Ae me 226 kg në toltal. Shqipëria ka dhe dy peshëngritës të tjerë në garë: Erkand Qerimaj dhe Gerti Trasha.
Rezultatet e Romela Begajt
Pesha58kg
Shkëputje98 kg
Vendi4-rt
Shtytje118 kg
Vendi7-të
Dygarësh216 kg
Vendi6