Tim biri i them, mos e qit botën mendsh
Në një poezi të vitit 1980 të quajtur “Autoportret”, Skënder Sherifi përshkruan ndeshjen e njeriut me qytetin. Afro tridhjetë vjet më pas, palët janë në po ato llogore, a më saktë belvedere: sa më shumë njeriu pushton qytetin aq më shumë qyteti e zapton atë. E zapton me ankth, me kancer konsumi dhe mjerim seksual. Vargjet e Sherifit janë aktuale edhe për fatin e njeriut në Tiranë, qytet i ri për nga “standardet” e ankthit, kancerit dhe mjerimit seksual, për nga prirja drejt një jete moderne që si ciklop rritet nga furnizimet rurale.
Libri i Sherifit që përveç dashurisë, diskutimin e mësipërm e ka temë bazë, është përmbledhje e poezive të shkruara në vitet tetëdhjetë, të përkthyera nga frëngjishtja nga i ndjeri Ibrahim Rugova i cili një poezi të vështirë për nga struktura kuptimore, për pasojë edhe muzikore, është munduar ta sjellë korrekt në shqip. Është botuar nga “Faik Konica” e Prishtinës.
Këto poezi janë një burim idesh dhe qëndrimesh të pafundme për botën, sidomos kur eksplorojnë vatrat e së keqes. Ato të thithin nga pavarësia e të gjykuarit nën influencën e kulturës dhe dijes, çka është bukuria e tyre më me vlerë.
Poezia e parë që hap përmbledhjen me poezi, sado e shkruar në një qytet perëndimor në vitet tetëdhjetë, i përshtatet Tiranës sot, të ndjerit qytetar................................ në ankth i saj.
Tirana e ka 5-fishuar volumin, ankthi i qytetit është shtuar. Shpejtësia, makinat, celularët, televizionet, zhurmat, krijojnë zbrazëti dhe ankthe njerëzore, sepse e denatyrojnë njeriun, e shpërfytyrojnë dhe e zhvendosin nga esencat e tij. Paradoksi është se njeriu do të futet në këtë modernitet, do që të komunikojë me ekranet, do që të bëjë si japonezi në Tokio, si amerikani në Nju Jork, si francezi në Paris.
Për ne që s’e kemi traditën e këtyre vendeve, do ishte njëlloj si të vinte një beduin i Saharasë dhe të kopjojë japonezin e Tokios, amerikanin e Nju Jorkut etj. Do ishte një çoroditje fenomenale për ne që jemi popull me origjinë rurale.
Në Tiranë dhe në Prishtinë unë personalisht e ndjej veten të agresuar. Këtu vëren se njeriu e ka humbur sensin e heshtjes, e mendimit. Por ne kjo na duket modernitet, siç na duket i tillë edhe invadimi apo imitimi i qyteteve të mëdha.
Simptomë të qyteteve ju quani kancerin e konsumit, kurse të modernitetit mbretërinë e kimisë dhe të elektronikës.
Blejmë-hedhim, është procesi i konsumit. Pastaj vjen bota elektronike, manipulimet e shkencës, abuzimet e gjenetikës që ka arritur të klonizojë mace, qen, dhi. Kush na garanton që pas dhjetë vjetësh s’do të klonizohen njerëzit, s’do të formohen ushtri klonesh të tipit të Rajhut të III-të? Prej atij momenti do të marrë fund civilizimi që kemi njohur ne nga Platoni, Sokrati. Prandaj i frigohem shkencës e cila kur nuk ka barriera etike ndaj humanizmit, bëhet armike e njeriut.
Gradualisht do të mbërrijmë në ato tip botësh që krijojnë diktatura të big-brother-it, diktatura pa emër, sepse ti s’di me kë lufton. Je i kolonizuar. Je nën një presion psikologjik, sado që ti refuzon, si të ecësh baraz me botën moderne.
Nuk e dua këtë botë. Qëllimi i poetit është që ta lidhë njeriun me esencën e tij.
Edhe mjerimi seksual është pasojë e gjithë kësaj?
Edhe ai është kthyer në virtualitet dhe objekt konsumi. Seksi merr vlerë kur lidhet me durimin, me poezinë e raporteve. Nëse raportet janë vetëm akt seksual, atëherë është vërtet mjerim seksual.
Mjerim seksual është kur ti bën seks por nuk je ti aty. Bën dubli yt seks, jo ti. Kjo prodhon vetëm zbrazëti dhe zbrazëtia prodhon depresion. “Dashuria fizike të çon në një zbrazëti totale” thoshte Serge Gainsbourg.
Njëherë, Jean Luc Godard, në fund të një mbrëmjeje, do të më thoshte: Të uroj që të dashurosh duke qarë prej gëzimit.
Shpëtimin ju e shikoni tek kthimi në fëmini, tek ajo gjendje e dëlirë e shpirtit si e fëmijës. Për shpëtimin e qytetërimeve cila gjendje do duhej që të arrihet, cila lloj fëminie?
Qytetërimet e gjejnë shpëtimin tek bazat e lindjes së tyre. Qytetërimet humbin kur harrojnë nga kanë lindur. Çdo gjë ushqehet duke mos e humbur gjenezën e saj, duke mos u shndërruar në diçka tjetër që do të ishte tjetërsimi dhe shkatërrimi.
Pas tridhjetë vjetësh ju udhëtuat në Kosovë. Si ju duk vendi?
Ai vend vuan nga problematika e harresës. Vura re se njerëzit çdo gjë e bënin me qëllimin për të ndalur procesin e mendimit. Është një shoqëri që ka stokuar në memorjen e saj drama të parrëfyera. Është gjithë ky bagazh vuajtjesh dhe dhimbjesh i parrëfyer që njerëzit e mbajnë me vete. Një ditë në kafene u ndodha përballë një burri që i kish gjetur të vdekur nënën dhe babën, të vrarë nga paramilitarët e Arkanit. Ti nuk e di se çfarë u ka ndodhur njerëzve si ky që pinë kafe me ty. Prandaj janë enigmë. Është e pamundur që këta njerëz të flasin direkt, të tregojnë tmerret e tyre. Janë gjëra aq ekstreme sa duhet një kohë, duhet distancë për t’i treguar.
Nevoja e kosovarëve për harresë lidhet me frikën e rrezikut të koshiencës së madhe ndaj traumave që janë të afërta. I kuptoj në njëfarë mënyre. Një kujtim i keq kërkon kohë që ta pranosh.
Libri që sjell nga Prishtina ka një kujtim të bukur gjithashtu, përkthimin e poezive nga Ibrahim Rugova.
Më vjen mirë që i vetmi poet që ai përktheu në jetë isha unë, një shqiptar në Belgjikë. Për mua Rugova nuk ishte politikani, por udhëheqësi shpirtëror i një populli. Këta udhëheqës lindin rrallë. Ishte pacifist, humanist dhe u ka lënë kosovarëve një testament që shpresoj ata ta kuptojnë se çfarë në të vërtetë Rugova u ka lënë. Ai nuk kishte asgjë të përbashkët me këta politikanë që ikin e s’i kujton njeri. Teknokratët dhe burokratët e politikës që kanë si bazë politike të përditshmen, nuk janë veçse efemerë.
Tani vonë jeni bërë baba. Si është marrëdhënia me Rafaelin 2-vjeçar?
U bëra baba në moshën 47-vjeçare. Në fillim më dukej e pabesueshme, më ngjallte kuriozitet një qenie e gjallë, aq e vogël. Tani që ka nisur të komunikojë e shoh veten në pasqyrën e Rafaelit. Nganjëherë jam në rolin e babës, nganjëherë në rolin e shokut të tij.
Për të ardhmen i uroj tim biri ekuilibër dhe lumturi njerëzore. Prindërit i kanë dhënë referencat e veta dhe bota do t’i japë të vetat. Dhe ai do të zgjedhë.
I uroj Rafaelit që ta konsiderojë jetën si gjë të bukur dhe jo si dënim. Ne, unë dhe ime shoqe, do të jemi një guidë pranë tij. I uroj që ta ndjejë vetën mirë nën lëkurën e vet, në trupin e vet, në mendimet e veta. I them Rafaelit ne jemi këta, me misionin për t’i dhënë referenca e fuqizime që të jetë i armatosur për të përballuar jetën. I them që Shqipëria, deshe s’deshe, kjo është. I them zgjidh nga këto kuzhina e mos e qit botën mendsh.
Vargje nga poezia “Projektim privat”:
“Dashuria u fundos/ në një shkretëtirë trëndafilash” dhe “Ku është ai njeri madhështor që vdiq nga humaniteti i tepruar?”
Thënie e ditës
“Për t’ia dalë në jetë, njeriu duhet të bëjë një fëmijë, të shkruajë një libër dhe të mbjellë një pemë.”
Compay Segundo