Romela Begaj, nënkampione e trefishtë e Europës
Romela Begaj është shpallur nënkampione e Europës në peshëngritje në peshën 58 kg. Ashtu si pritej, 23-vjeçarja ka shkëlqyer në evenimentin që po zhvillohet në Minsk të Bjellorusisë, pasi u shpall nënkampione e trefishtë dhe ka marrë në shtëpi tri medalje argjendi. Kampione absolute e Europës është shpallur Natasha Novikava, me 238 kg. Bjellorusja ka ngritur 105 kg në shkëputje dhe 133 kg në shtytje.
Romela Begaj është renditur e dyta në shkëputje, me 96 kg të ngritura, ndërsa në klasifikim është favorizuar nga pesha më e vogël trupore se polakja Marieta Gotfryd, e cila regjistroi të njëjtin rezultat. Begaj dështoi në provën e parë me 95 kg, megjithatë realizoi provën e dytë me të njëjtën peshë. Në provën e tretë, ku ngriti një kilogram më shumë, ajo arriti të fitonte medaljen e argjendit. Edhe në shtytje, kampionia shqiptare u klasifikua e dyta: fillimisht ajo ngriti 110 kg, ndërsa më pas kaloi me sukses provën e dytë, me 111 kg. Edhe pse nuk ka shfrytëzuar provën e tretë, për një peshë më të madhe, kampionia shqiptare arriti të renditej e dyta edhe në dygarësh me 207 kg të ngritura në total.
Për t’u theksuar është fakti se 207 kg ishte rezultati që Begaj arriti edhe në dygarësh, në kampionatin XX botëror për femra, të zhvilluar në nëntor në Gojang. Por, me këtë peshë, ajo nuk arriti të ngjitej në podium dhe u klasifikua vetëm e katërta në Kore. Sot në pedanë nga sportistët shqiptarë ngjitet Erkand Qerimaj, i cili konkurron në peshën 77 kg. Në Botërorin e Gojangut, peshëngritësi shkodran u klasifikua në vendin e shtatë, me 349 kg në dygarësh.
#