E Diel, 1 Nëntor 2026

8 Maji, një amerikan në krye të 450 vëzhguesve

SHKRUAN: Dardan Malaj 09-03-2011 13:42

Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet lokale të 8 Majit 2011 në Shqipëri do të drejtohet nga një amerikan. Lajmin e konfirmon zëdhënësi i ODIHR-it, Jens Eschenbaecher, i cili në një prononcim për “Mapo” tha se Jonathan Stonestreet do të kryesojë vëzhguesit, që do të mbërrijnë në kryeqytetin shqiptar për të monitoruar procesin e ardhshëm zgjedhor. Stonestreet është në detyrën e Këshilltarit të Lartë Zgjedhor, pranë zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) në Varshavë. Ai është angazhuar në monitorimin e proceseve zgjedhore, që prej vitit 2004 kur ndodhet në këtë pozitë të lartë, ndërsa ka organizuar shumë misione vëzhgimi dhe ka asistuar në ndihmën teknike zgjedhore. Stonestreet konsiderohet sakaq një ekspert edhe sa i takon çështjeve të votimit elektronik. Nga viti 1997 deri në vitin 2003 Jonathan ka punuar me misionin e OSBE-së në Bosnje-Hercegovinë, ndërsa është diplomuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Filozofi dhe qeverisje, ndërsa ka një master për ndihmë ndërkombëtare. Stonestreet është angazhuar në fundi në krye të misionit të vëzhgimit në zgjedhjet parlamentare në Hollandë ndërsa më parë ka vëzhguar shumë procese në Spanjë, Hollandë etj. Zëdhënësi i ODIHR-it, Jens Eschenbaecher zbuloi gjithashtu për “Mapo” se në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të angazhohen së paku 450 vëzhgues. Sipas tij, 50 prej tyre do të kenë statusin e vëzhguesit afatgjatë të këtyre zgjedhjeve ndërsa pjesa tjetër, prej 400 personash, do të mbërrijnë në Shqipëri për të monitoruar ditën e zgjedhjeve. Për shkak të kohës së gjatë të parashikuar të procesit të numërimit dhe nxjerrjes së tabelave të rezultateve, vëzhguesve afatshkurtër duhet t’u kërkohet të qëndrojnë disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, për të ndjekur të gjithë procesin. Sakaq, mësohet se grupi i vëzhguesve vendas “Shoqata për Kulturë Demokratike” planifikon t’i vëzhgojë zgjedhjet e ardhshme me 900 vëzhgues të shpërndarë në ekipe të lëvizshme, nëse arrijnë të sigurojnë financimin e duhur. Nga analizimi i të dhënave bie në sy fakti se numri i vëzhguesve të huaj afatgjatë është më i lartë sesa në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, kur në total misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it, që u hap në Tiranë, më 8 maj, kishte 12 ekspertë në kryeqytet dhe 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë nëpër të gjithë territorin shqiptar. Ditën e zgjedhjeve, 395 vëzhgues u organizuan nga një Mision Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (MNVZ), ku përfshihej një delegacion me 36 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, një delegacion me 22 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe një delegacion me 5 anëtarë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s (NATO PA). Vëzhguesit vinin nga 38 shtete pjesëmarrëse të OSBE-së. MNVZ-ja vëzhgoi votimin në mbi 1,375 qendra votimi nga 4,753 gjithsej dhe numërimin në të 66 Vendet e Numërimit të Votave. Neni 6 i Kodit Zgjedhor parashikon vëzhgimin e zgjedhjeve nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe nga partitë politike dhe kandidatët e paraqitur nga një grup zgjedhësish. Çdo subjekt zgjedhor ka të drejtë të emërojë vëzhgues në KZAZ, KQV dhe për çdo tavolinë numërimi në një VNV. Në rast se partitë formojnë koalicion, e drejta e emërimit të vëzhguesve i takon koalicionit dhe jo partive. Përfaqësuesit e partive më të vogla, të takuar gjatë MVN-së së OSBE/ODIHR-it, shprehën shqetësimin se ky rregull mund t’i privojë ata që të kenë vëzhguesit e partive të tyre. Kandidatët lejohen të jenë të pranishëm gjatë numërimit të votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›