E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojaxhi: Ndërtimet pa leje, kancer për hapësirat

09/04/2010 Emërimi

“Jam i bindur që zoti Bojaxhi do t’i japë përmasën e duhur Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik sikurse thonë ‘me pinca bëri shumë punë’, me buldozerë do bëjë akoma më shumë”. Me këtë vlerësim të ministrit Olldashi, që i referohet punës së mëparshme që zoti Gjergj Bojaxhi ka bërë si drejtor i KESH-it, ka nisur edhe një sfidë e re për të ajo e drejtimit të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Në prezantimin para mediave situata e ndërtimeve pa leje në të gjithë hapësirën e vendit është cilësuar si kancer. Madje kjo sëmundje pas individëve, sipas zotit Olldashi ka zënë edhe institucionet. “Situata është e tillë që nuk kemi më individë, qytetarët që ndërtojnë në mënyrë ekstraligjore, por kemi filluar së fundmi të kemi edhe institucione të pushtetit vendor që po abuzojnë me ligjin dhe po ndërtojnë në mënyrë të paligjshme. Besoj se qëndrimi duhet të jetë njësoj për të dyja palët. Ndaj shkeljes së ligjit janë të gjithë njësoj, si qytetarët ashtu dhe institucionet”, tha Olldashi. “Unë e shikoj fenomenin e ndërtimeve pa leje si një kancer që vazhdon të deformojë hapësirat urbane në qytetet dhe fshatrat tona, si një evazion fiskal, i cili është i dukshëm dhe që rëndon drejtpërdrejtë në arkat e pushtetit lokal. Inspektorati do të ketë zona prioritare si akset rrugore, akset energjetike, parqet kombëtare, kurora e gjelbër e kryeqytetit të vendit si dhe zonën e bregdetit, peizazhi i të cilës është një pasuri kombëtare dhe ne në mënyrë sistematike do ta pastrojmë nga ndërtimet pa leje”, tha Bojaxhi. Emërimi i Gjergj Bojaxhiut, si kreu i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit përkon edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të urbanistikës, i cili i jep kompetenca të reja atij. Gjergj Bojaxhi dha dorëheqjen nga drejtimi i KESH-it në shtator 2009, duke e cilësuar misionin e tij në korporatë të realizuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›