E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët e padukshëm të Shqipërisë

Valbona Sulçe

Të padukshëm? Si kështu? Edhe tani kur falë Avokatit të Popullit nuk ka ditë që të mos flitet për romët në Shqipëri?Po, po, romët në Shqipëri janë të padukshëm sepse edhe kur flitet për ta, nuk flitet për ta. Merrni rastin e fundit. U fol për fondet, ku janë fondet, çbëjnë OJF-të, ato hajdutët,  çi kanë bërë milionat, etj, etj; u fol edhe për  gjestin e Totozanit, populizëm, shoë, – çfarë nuk i thane; u fol edhe për fatkeqët e tjerë në këtë vend që duhet të kenë vëmendjen e shtetit. Ah, po, u fol edhe për devocionin e madh të shqiptarëve ndaj romëve, duke e kamxhikuar veten nëpërmjet opinionistëve me epitete nga më të rëndat, meqë nuk merremi sa duhet me ta. Dhe kështu ndodhi që edhe duke folur për romët, prapë për romët nuk u fol.

Dikush me të drejtë i quajti romët e Totozanit, familjet e futura në institucionin e Avokatët e Popullit, sepse ata janë romët e tij. Në analizën time, besoj se gjesti i Totozanit i kapi të papërgatitur dhe në befasi institucionet dhe publikun shqiptar, të pamësuar me veprime humanitare të shtetit. Sepse në fund të fundit, gjesti i Totozanit nuk ishte as me pak e as më shumë shprehje e fytyrës humane të shtetit, i cili duhet ta ketë dhe atë, por që ne, me sa duket, kemi kohë që ia kemi harruar. Kjo është merita e tij dhe çdo epitet tjetër është i tepërt. Ai zgjodhi të ndihmojë ata të cilët rrezikoheshin më shumë. Por çështja këtu është: çdo të bëhet me romët e tjerë, me komunitetin rom në Shqipëri?

Këtë askush nuk na e tha dhe as pritet që të na e thotë njeri.

Romët janë garniturë, sebepi që të flasim edhe njëherë për të drejtat e njeriut. Remzi Lani thotë me të drejtë që në Shqipëri nuk ka diskriminim racor  ose gjuhë urrejtjeje,  po ka heshtje urrejtjeje. Kështu nuk i diskriminojmë dhe jemi në rregull me Europën, por heshtim për ta, pavarësisht se i kemi gjithë ditën para syve, në rrugë, në trotuare, në shkolla, në lokale, kudo.

Romët në Shqipëri hyjnë në kategorinë e njerëzve të varfër, të paarsimuar dhe të papunë. Janë edhe të pastrehë, por këtë  pak e marrin seriozisht pasi dihet që janë popullsi nomade pra që lëviz, pa vendbanime të përhershme. Sa herë flitet për strehimin e atyre, kundërargumenti është: nuk janë vetëm ata. Një kundërargument që nuk vlen, pasi strehimi është një e drejtë që i takon të gjitha qënieve njerëzore.Poklishetë bëjnë punën e vet. Romët ashtu janë mësuar të rrojnë, është njëra prej tyre.Pokush nuk do që të ketë një kulm mbi krye, një dhomë të ngrohtë për fëmijët, ushqim dhe mireqënie? Përvec kësaj, kjo do të thotë fëmijë e individë të sëmurë, që janë kosto për shtetin dhe shoqërinë. Njësoj si klisheja tjetër: romët nuk shkojnë në shkollë se nuk duan. Nuk punojnë se duan të lypin.

Në rastin e shkollës, po perifrazojmë Tunxhin te Udha e shkronjave: Cili i verbër nuk do sy? Arsimi 9 vjecar në Shqipëri është i detyrueshëm dhe shteti është përgjegjës për realizimin e kësaj detyre dhe të drejte. Eja flasim pse ka dështuar, cduhet bërë që të shkollohen. Sepse reaksioni është zinxhir:  nëse nuk janë në shkollë, nuk kanë zanat, për pasojë nuk mund të gjejnë punë. Këto janë të vërtetat me të cilat duhet të merret edhe shteti, edhe shoqëria, sepse nuk mund tia hedhim gjithmonë me një kështu janë ata, pa treguar të paktën cfarë përpjekjesh janë bërë që të mos jenë kështu.

Që gjesti i Avokatit të Popullit të mos shkojë kot, që fryma e harxhuar të mos shkojë dëm, duhet së paku të bëhet një analizë e të gjithë faktorëve që sjellin këto situata dhe të flitet me transparencë cilat janë përgjegjësitë e gjithësekujt. Edhe të romëve, padyshim, të cilët duhet të bëjnë pjesën e tyre për tu integruar në shoqëri dhe jetuar me dinjitet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›