Benedikti XVI në Mesazhin e Krezhmëve: “Kujdesuni për njëri-tjetrin, pa u mbyllur në vetvete”
“Përballë një bote, që kërkon prej të krishterëve, dëshminë e përtërirë të dashurisë e të besnikërisë për Zotin, të gjithë të ndjejnë urgjencën për të hyrë në garë bamirësie, shërbimi e veprash të mira”: kjo është thirrja, që Papa Benedikti XVI u drejton besimtarëve në Mesazhin e Krezhmëve, që u bë i njohur sot, gjatë një konference për shtyp në Vatikan. Tema e mesazhit është marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve: “Të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira” (Heb 10,24).
Krezhmët, nënvizon Ati i Shenjtë, janë kohë të përshtatshme për të reflektuar mbi zemrën e thelbin e jetës së krishterë, që është dashuria e bamirësia. Papa e përfytyron këtë si një rrugë, gurët kilometrikë të së cilës, janë lutja, bashkëndarja, lëmosha, heshtja, agjërimi dhe pritja e gëzimit të Pashkëve. Duke analizuar fjalë për fjalë frazën e marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve, Papa shpjegon se ç’do të thotë për një të krishterë të marrë përsipër përgjegjësinë edhe për vëllain e vet, ta dhurojë vetveten për të e të ecë sëbashku me të drejt shenjtërisë, qëllimi i fundit i jetës së besimtarit. “Urdhri i madh i dashurisë për të afërmin – shkruan Benedikti XVI – kërkon e nxit vetëdijen e përgjegjësisë për atë, që si mua, është krijesë e bir i Zotit: fakti, që jemi vëllezër në humanitet e në shumë raste, edhe në fe, duhet të na bëjë ta shohim tjetrin si një ‘alter ego’, dashur pafundësisht nga Hyji. Nëse e ruajmë këtë vështrim vëllazërimi - solidariteti, drejtësia, ashtu si edhe mëshira e dhembshuria, do të lindin natyrshëm në zemrat tona”. Kujdesi për tjetrin, vazhdon Papa, do të thotë t’i duash atij, ose asaj, të mirën në të gjitha aspektet: fizike, morale e shpirtërore. Çfarë e pengon këtë? Shpesh pasuria materiale e barku plot, por edhe vënia e interesave vetjake mbi ato të përgjithshme, paralajmëron Ati i Shenjtë, i cili kujton se takimi me tjetrin, ndihma për të, janë raste, që e çojnë shpirtin e personit zemërdhembshur drejt shëlbimit e lumnisë.
Papa u kërkon besimtarëve të rikthehen në praktikën e të krishterëve të parë, atë të këshillimit të mëkatarëve, pasi kjo do të thotë kujdes për shpirtin e tjetrit, për të mos e lënë ta bjerrë atë përgjithmonë. “Nuk duhet heshtur para së keqes – bën thirrje Benedikti XVI. Mendoj për sjelljen e atyre të krishterëve, që, për respekt njerëzor, ose për leverdi, i përshtaten mendësisë mbizotëruese, në vend që t’i paralajmërojnë vëllezërit për mendimet e veprimet, që kundërshtojnë të vërtetën e nuk ndjekin rrugën e drejtë. Por – thekson Jozef Racinger – kritika e krishterë nuk niset kurrë nga fryma e dënimit apo e paditjes: frymëzohet gjithnjë nga dashuria e nga mëshira dhe rrjedh nga shqetësimi i vërtetë për të mirën e vëllezërve”.
Dhurata e reciprocitetit është këshilla tjetër e Papës. “Një shoqëri si ajo aktualja – denoncon Benedikti XVI – mund të bëhet e shurdhër si ndaj vuajtjeve fizike, ashtu edhe ndaj kërkesave shpirtërore e morale të jetës. Nuk duhet të jetë kështu bashkësia e krishterë!” Nuk mund të jetojmë pa të tjerët, pasi jeta jonë është e lidhur me atë të vëllezërve, në të mirë e në të keq. Si mëkati, thekson Papa, ashtu edhe veprat e dashurisë kanë përmasa shoqërore. Vetëm së bashku mund të ecim drejt shenjtërisë. “Fatkeqësisht – nënvizon Ati i Shenjtë – është gjithnjë i pranishëm tundimi për të qenë as i ngrohtë, as i ftohtë, për ta mbytur frymën e Shpirtit Shenjt, për ta refuzuar përdorimin e talenteve, që na janë dhuruar për të mirën tonë e të të tjerëve. Të gjithëve na janë dhuruar pasuri shpirtërore e materiale, të dobishme për plotësimin e planit hyjnor, për të mirën e Kishës e për shëlbimin personal”. Në fund, Papa i fton të krishterët të hyjnë në garë për të treguar impenjimin e tyre në shërbim të të tjerëve dhe u uron të gjithëve një kohë të frytshme Krezhmësh, që t’iua përgatisë sa më mirë shpirtin për të pritur Pashkët e Shenjta, Ringjalljen e Krishtit.
Mesazhi i Papës për Krezhmët u paraqit dje paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Ndër relatorët, edhe kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Robert Sarah, i cili vuri në dukje se si thirrja e Papës për të ndihmuar e për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, është jashtëzakonisht aktuale në këtë periudhë krize ekonomike: “Nuk mund të heshtim, në vazhdën e asaj, që thotë Benedikti XVI, për bazën e krizës sonë financiare, e cila e ka themelin në lakminë, në kërkimin e shfrenuar të parasë, pa skrupull e pa marrë parasysh kë ka më pak e kë duhet të mbartë mbi vete pasojat e vendimeve të gabuara të të tjerëve. Kjo rendje pas parasë është mëkat”.
Duke u ndalur në atë pjesë të Mesazhit, ku Papa flet për korregjimin vëllazëror, kardinali Sarah theksoi se Kisha nuk mund të heshtë pra tragjedisë së sa e sa vetëve, që vdesin, sepse u mungon edhe minimumi i nevojshëm, ndërsa të tjerë pasurohen duke i shfrytëzuar. Kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum” vuri në dukje se rrënjët e padrejtësive e të individualizmit janë në refuzimin e Zotit: “Kjo shoqëria jonë e shekullarizuar ka arritur të jetojë e të organizohet, pa marrë parasysh Zotin, ngaqë është përfshirë prej një varfërie më tragjike se ajo materiale, një varfëri e përfaqësuar nga refuzimi dhe përjashtimi i plotë i Zotit nga jeta shoqërore dhe ekonomike, nga revolta kundër ligjeve hyjnore e kundër atyre natyrore”.
Por kjo shoqëri, vazhdoi kardinali Sarah, mund të shkundet nga dëshmia ungjillore e besimtarëve e sigurisht, edhe të preket nga bamirësia e të krishterëve ndaj të varfërve. Nganjëherë, vërejti kardinali, ndërhyrja e Kishës shihet me dyshim, si dëshirë e saj për pushtet: “Jo: Kisha shtyhet nga kujdesi i sinqertë për të mirën e njeriut e të kësaj bote. Veprimi i saj nuk frymëzohet nga dënimi, ose paditja, por nga ajo drejtësi e dhembshuri, që duhet të ketë edhe guximin për t’i quajtur gjërat me emrin e vet”.
Si dëshmi për këtë, kardinali Sarah përmendi faktin se ofertat për bamirësinë e Papës nuk janë pakësuar e pikërisht duke përdorur ato, në Haitin e shkatërruar nga tërmeti, po ndërtohet një shkollë dhe një qendër famullitare. Së shpejti, zv.sekretari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, mons. Segundo Tehado, ish-kreu i Karitasit të Shqipërisë, do të shkojë për vizitë në ishullin karaibik për të ndjekur punimet.
Marrë nga Radio Vatikani