E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët takojnë nënsekretarin e OKB-së, Ad Melkert

Lagjja "Drizë", e ndodhur në Komunën Qendër në Fier, pritet të ndërrojë emër. Me vendim të Këshillit të Komunës Qendër është vendosur që emri i lagjes të bëhet "Barak Obama".

Romët e Fierit kanë vendosur ta pagëzojnë lagjen e tyre me emrin e Presidentit të Shteteve Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Kryetari i lagjes "Drizë" në Komunën Qendër, në të cilën banon një pjesë e mirë e komunitetit rom, Hekuran Zoto, thotë se vendimin e ka ndërmarrë këshilli i lagjes në mbledhjen e zhvilluar pak ditë më parë. Hekuran Zoto i drejtohet pushtetit vendor dhe qendror që të mirëpresë këtë vendim, pasi për romët e Fierit, emri Barak Obama ka një domethënie të madhe.

Dje, këtë lagje, e ka vizituar edhe nënsekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ad Melkert. Gjatë vizitës së tij në lagjen e romëve, merrte pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i PNUD-it. Në takim, përveç kërkesave të shumta për mirëqenie ekonomike, romët kanë kërkuar edhe njohjen e kësaj lagjeje me emrin "Barak Obama". "Kemi marrë një vendim, që lagjja jonë të quhet ‘Barak Obama‘. Presidenti aktual i SHBA-së ka premtuar që do të ndërhyjë në shumë shtete ku banojnë romë. Mendojmë se pas kësaj, do të bëjë diçka për ne dhe për komunitetin e rom në fshat. Kërkesën për emërtimin e lagjes ia kemi dërguar zyrtarisht kryetarit të Këshillit në Komunën Qendër dhe ajo është miratuar. Besojmë se ky emër do të njihet në të gjitha institucionet qendrore", u shpreh Zoto. Banorë të komunitetit rom që banojnë në këtë lagje shprehen se kanë dëshirë që të quhen banorë të "Barak Obamës". Romët thonë se ai është njeriu që mund t‘i ndihmojë në këtë kohë të vështirë dhe kjo ndihmë, sipas tyre, do të vijë jo vetëm ekonomikisht, por edhe moralisht. "Ne duam të marrim atë emër, pasi Presidentin e Shteteve të Bashkuara e kemi të dorës sonë. Kemi biseduar në të gjithë lagjen dhe po të gjithë kemi vendosur ta mbajmë atë emër. Si përfaqësues të këshillit të lagjes jemi katër dhe jemi mbledhur javën e kaluar", u shpreh Hatixhja, një banore e kësaj lagjeje.

"Ne kërkojmë që të kemi një zgjidhje pas vendosjes së emrit që do të marrë lagjja. Duam të kemi rrugë më të mira, kopshte dhe çerdhe, por edhe shkolla. E kërkojmë emrin Barak Obama për të mirat që do të na japë ai", thotë Lumja.

"Obama është nga fisi ynë. Ne nga Shqipëria nuk kemi ndonjë mbështetje, as shkollë dhe as kopsht e as punë nuk na jep Shqipëria. Si romë që jemi, nuk kemi përkrahje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›