E Diel, 1 Nëntor 2026

NUK KA Të NDALUR PROPAGANDA QEVERITARE ME PARATë PUBLIKE

"E mbani mend kohën kur i uronim njëri-tjetrit ‘paç energji elektrike në shtëpi gjatë Vitit të Ri‘? Epo, ky urim nuk bëhet më. Që nga momenti që kemi ardhur ne në pushtet, gjërat kanë ndryshuar, pasi ne kemi investuar në prodhimin e energjisë, në shpërndarjen e saj, në rritjen e kapaciteteve të interkonjeksionit, në drejtim të zvogëlimit të humbjeve në rrjet, në mbledhjen e faturave, etj. Kjo është qeveri suksesesh e arritjesh. Ne kemi hapur e shtruar me qindra kilometra rrugë e autostrada, ne kemi luftuar korrupsionin, ne kemi mbledhur taksat, ne kemi shtuar të ardhurat nga tatimet e nga doganat, ne kemi rritur sigurinë në vend, ne kemi bërë të mundur rritjen e investimeve të huaja, ne kemi anëtarësuar vendin në NATO, ne ….".

Me siguri, sa më sipër, mund të merret fare mirë për ndonjë fjalim të mbajtur prej kryeministrit apo ministrave në ndonjë tubim elektoral. Por në fakt, nuk është kështu. Sa më sipër janë fragmente të marra nga spotet publicitare të qeverisë shqiptare, të cilat transmetohen nga një numër televizionesh gjatë gjithë orëve të ditës e të natës; transmetohen në përputhje me rregullat e çmimet e tregut, d.m.th Top Channel-i, TV Klan-i, Vizion +, News 24-a, Ora News-i, etj., etj., i kërkojnë qeverisë të paguajë kohën televizive të shtënë në punë për transmetimin e këtyre mesazheve të pastra propagandistike. Dhe qeveria paguan. Ku i gjen paratë? Epo në arkën e shtetit, ku tjetër?

Asnjë reagim serioz nuk ka pasur në këtë vendin tonë lidhur me këtë propagandë të bujshme në favor të qeverisë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e opozitës (pse vallë? Ngaqë e kanë bërë vetë këtë punë në të shkuarën? Apo ngaqë kanë në plan ta bëjnë sërish me të riardhur në pushtet?), nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e ndonjë institucioni apo e ndonjë fondacioni joqeveritar. Është një histori që vijon prej më shumë se një viti dhe të krijohet përshtypja se të gjithë jemi mësuar me këtë veprim, që në fakt përbën një shpërdorim flagrant të parave publike në funksion të interesit e ambicies private për pushtet të një kryeministri.

Përpara ca muajsh, u ula për të bërë një shkrim denoncues ndaj kësaj dukurie. Dhe i vetmi reagim ndaj shkrimit ishte ai i një qytetari, që më kapi në rrugë e më tha me tonin e njeriut të kënaqur nga qeveria e të pakënaqur prej meje: "Ju zotni gazetar nuk keni ku e kapni qeverinë e zotin Berisha, dhe ngrini zërin për shqetësime e abuzime të paqena. Po pse, ku duhet t‘i gjejë paratë kryeministri për të bërë këto spot-e? Mos duhet t‘i marrë nga xhepat e veta?".

Duhet të ketë shumë njerëz të tjerë në Shqipëri, të cilët, ja, si ky miku i shqetësuar nga shkrimi im, nuk shohin asnjë të keqe te paratë publike të shpenzuara për qëllimet e mësipërme? Sipas meje, po. Madje, kam frikë se shumica e shqiptarëve janë m‘ú si ky bandill, d.m.th as që e çojnë në mendje të skandalizohen nga qeveria e spot-eve, nga një qeveri që mbledh taksa, dhe i prish ato për t‘i bërë me dije qytetarët e vet se taksat i ka mbledhur; apo të skandalizohen nga një qeveri që harxhon paratë publike për të bërë një spot televiziv, ku i thuhet, po publikut, se "kjo qeveri është më e mira" dhe se - kjo u tha në një rast tjetër, më 7 mars, po me paratë publike - opozitarët janë të këqij; apo të skandalizohen nga një qeveri që, në vend të skuqet nga tragjedia e Gërdecit e ngritur mbi afera të padëgjuara korruptive të markës qeveritare, del - gjithmonë me paratë publike - e na numëron sukseset në luftën kundër korrupsionit.

E mendoj këtë, ngaqë po të ishte ndryshe, do të kishim ndonjë reagim kolektiv kundër kësaj qeverie, që ka paturpësinë të përdorë paratë e taksapaguesve të mirë e të urtë shqiptarë me synimin për t‘i shndërruar këta të fundit, d.m.th taksapaguesit, edhe në zgjedhës të mirë e të urtë. Epo, të dashur miq, mund të keni parë në botën demokratike qeveri që harxhojnë paratë publike për të informuar qytetarët e vet lidhur me ndonjë zyrë a ent të ri në shërbim të tyre, me ndonjë emergjencë a rrezik kombëtar, me shfaqjen e ndonjë virusi apo me vendosjen e ndonjë karantine, me ndonjë black-out energjetik të përkohshëm, e me gjëra të tjera të kësaj natyre, por nuk keni parë e nuk keni për të parë kurrë një qeveri që harxhon paratë e qytetarëve të vet për të përcjellë mesazhin: "Kjo qeveri është më e mira". Përveç qeverisë shqiptare, sigurisht.

Ky është një shpërdorim plateal i detyrës, për të cilën lipset - të paktën - ndërhyrja urgjente e opozitës. Kjo e fundit mund të ngrejë dhe një padi, por nuk do të ishte keq edhe sikur të mjaftohej me hartimin e një projektligji, që do të synonte ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të parave publike për qëllime të propagandës qeveritare. Dhe sa hap e mbyll sytë, ta çonte këtë projektligj në Parlament, ku të kërkonte diskutimin me afat të përshpejtuar të këtij projektligji. Nëse opozita nuk ka kohë të mendojë për paratë tona, duhet të mendojë për garën elektorale, e cila në këto rrethana është krejt e pabarabartë. Vërtet, si mund të jetë e barabartë një garë elektorale, nëse mazhoranca i jep të drejtë vetes të përdorë arkën e shtetit për qëllime të fushatës e të propagandës elektorale?


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›