E Diel, 1 Nëntor 2026

Historia nuk njeh kthim prapa

Vitin 1999, kur historia jonë po prekej me dorë, në atë qershorin historik të fitores e të lirisë së shqiptarëve, nëpër muret e shtëpive dhe objekteve publike në gjithë Kosovën, ishin lënë parulla antishqiptare të shkruara me turlilloj përmbajtjeje fyese e urryese nga më banalet. Një shije e keqe kjo e lënë prej atyre (që veç emrit barbar nuk gjen tjetër) që nuk kanë aspak respekt e konsideratë për dinjitetin njerëzor, si vlerë morale universale. Me dorën e tyre, dhunuesit sllavë kishin nënshkruar në ato mure aktet e paprecedentë të dhunës dhe përdhunës të një populli, masakrimit kolektiv, marrjen nëpër këmbë të çdo të drejte elementare të njeriut, pikësëpari si qenie që ka të drejtë të jetojë. Me dorën e tyre, dhunuesit kishin nënshkruar në ato mure konceptet e tyre dje (dhe mjerisht janë edhe sot prezente në ndërgjegjen e atyre që drejtojnë këtë vend), ekstraktin e programeve të tyre shfarosëse, mungesën e respektin e humanitetit kundrejt një populli tjetër.

"Do t‘i therim të gjithë shqiptarët" e plot mbishkrime banale që nuk mund të përmenden në një shkrim që e lexojnë të gjithë, nxjerrin jashtë loje çdo pretendim serb kundrejt Kosovës dhe fundosin çdo "argument" të tyre para botës së qytetëruar e demokratike. Shkurt kishin nënshkruar Turpin e Tyre, u kishin vënë vulën akteve të përgjakta gjenocidiale, që bindën më në fund botën evropiane e botërore se kush ishte djalli i gadishullit, që ndizte zjarret përcëlluese ku digjeshin pa mëshirë njerëzit e pafajshëm.

Vetëm për periudhën e luftës së fundshekullit, unë kam mbledhur mijëra fakte zemërdridhëse që nuk të besohet se mund t‘i bëjnë njerëzit. Thirrja e Wiliam Wokerit që i bëri pak para shpalljes së pavarësisë ndërgjegjes evropiane e botërore, se "masakrat serbe në Kosovë nuk duhet të harrohen", është një ftesë për të gjithë ato vende që aktualisht hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, kryesisht për shkak të deformimit të së vërtetës, nga njëra anë prej garniturës serbe dhe nga ana tjetër për problemet që vetë ato shtete kanë brenda për brenda. Urrejtja jo vetëm që nuk është inteligjencë, siç pat thënë dikur Viktor Hygo, por më së pari, nuk është praktikë qytetëruese. Aq më tepër urrejtja për një popull të tërë (Do t‘i therim të gjithë shqiptarët, po dëgjohet sot në të gjitha protestat kundër pavarësisë nëpër qytetet serbe). Urrejtja e cila u shpreh për një periudhë më shumë se njëqindvjeçare me masakrat më antinjerëzore, bukur si zor se mund t‘i perceptojnë përmasat e një mendjeje normale njerëzore, sidomos sot.

Rrënimi i megalomanisë totalitare

Përshtypjen më të madhe e bënin parullat megalomane që nxirrnin në pah verbërinë emblematike dhe pasqyronin shpëlarjen e trurit që kishte arritur ta bënte makina shovene me popullin e vet. Shkrime të tilla si "Serbia deri në Tokio", "Serbia deri në Kaliforni", nuk përmbanin asgjë tjetër përveç idesë së çmendur e krejtësisht naive, se ato mund ta bënin realisht një gjë të tillë. Me siguri se vetëm disa ditë që kur ishin shkruar këto parulla, ushtria agresore u shpartallua krejt thjesht pa ndonjë mund të madh, e iku duke marrë me vete zhgënjimin e madh se prapa parullave euforike paska qenë një "tigër prej letre", siç thoshte Mao Ce Duni për "imperializmin amerikan", që nuk përbënte aspak vështirësi përballë NATO-s e UÇK-së. Shteti i dhunshëm serb u gjend para trumhasjes së madhe, që përmblidhet në atë shprehjen se ata mund të bënin atë që nuk mund të bënin asgjë.

Është në natyrën e sundimeve totalitare që të krijojnë psikologjinë kolektive se janë të pamposhtur, se mund të arrijnë synime ambicioze në të mirë të vendit që drejtojnë. Më shkoi mendja kohët kur në Shqipëri, në stërvitjet ushtarake të para viteve ‘90, ushtarakët i thoshin "popullit ushtar" se "jemi përballë agresionit të koalicionit armik, të cilët me ndihmën e imperializmit amerikan dhe socialimperializmit sovjetik, synojnë të pushtojnë kështjellën tonë. Përballë këtij invazioni, ne, nën dritën e mësimeve të partisë, nëpërmjet organizimit tonë perfekt ushtarak, përgatitjes së lartë psikologjike dhe taktiko-teknike, brenda pak kohësh do ta shpartallojmë. Fitorja jonë është e sigurt". Ndërsa ne shqiptarët, të indoktrinuar kolektivisht prej drogës totalitare, besonim me të vërtetë se ishim superiorë përballë armikut imagjinar dhe se njëmend e shpartallonim atë. Vura një paralele midis atyre parullave të gjendura në gjithë Kosovën e pasluftës dhe asaj që ne e kemi përjetuar vetë në Shqipëri, për të nxjerrë në dukje aftësinë e këtyre kreaturave politike për të depërtuar thellë në ndërgjegjen e njerëzve në faza specifike historike e psikologjike, e si pasojë, ta deformojë atë deri në absurd. Këtu qëndron edhe tragjikomedia që ndodh me vendet që ushtruan sundimin e tyre mbi bazë të teorive etatiste.

Fakti se vendet e Lindjes, të drejtuar sipas plezhiaturës të imponuar ruse në mënyrën e ndërtimit e drejtimit të shtetit, u shembën një nga një, shpreh më së miri këtë shpërfytyrim të përçudnuar si të personalitetit të njeriut që përbën bazamentin e shoqërisë të një vendi, ashtu edhe të organizimit shtetëror të gabueshëm, e si pasojë, edhe të pasuksesshëm.

Pikërisht ai shtet serb që besonte se mund të shkonte pa pengesa e me "krenarinë perandorake" deri në Tokio e Kaliforni, u shemb si një kullë, rrënjët e muret e së cilës ishin kalbur me kohë. Mjerisht për fatin e keq, këtë fakt nuk e dinte populli i indoktrinuar serb, madje as vetë ata që e drejtonin këtë vend. Ngjarjet e fundit në Serbi po dëshmojnë qartë se ende nuk kanë mundur të shkëputen prej megalomanisë të mbjellë thellë në vetëdijen e tyre kolektive, e për më keq ende nuk po e kupton se era e re demokratike, bashkëpunuese, zhvilluese e tolerante që po fryn në Ballkan, nuk duron më veprime të dhunshme. Prandaj krejt të kota janë aktualisht edhe orvatjet e dëshpëruara për të nxitur me insistim komunitetin serb që jeton në Kosovë, kundër pavarësisë dhe për të mos pranuar jetën e re pas shpalljes së saj.

Historia nuk e njeh kthimin prapa

Realisht pas aktit historik të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe njohjes së shtetit menjëherë nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia (këto shtete i vënë pikën) etj., çdo komunitet në Republikën e Kosovës është i garantuar, i barabartë dhe i sigurt në shtëpinë e vet dhe shtetin e vet legjitim. Nga ana tjetër, shteti sovran e demokratik i Republikës së Kosovës, është afërmendsh, se veç plot faktorëve të tjerë, nuk mund të konsolidohet pa kontributin e komuniteteve, pa energjitë e tyre pozitive në shërbim të rritjes, fuqizimit e begatisë të shtetit të tyre, prandaj çdo ditë e më tepër, administrata e re shtetërore në Kosovë luan rol integrues, e ndërgjegjshme për misionin e kontributin që duhet të kenë komunitetet. Të gjitha komunitetet, veçmas nga ai serb, po kuptojnë çdo ditë e më shumë, se fati i tyre lidhet drejtpërdrejt me vendin ku jetojnë. Serbët që jetojnë në Republikën e Kosovës e kuptojnë se politika e Beogradit nuk është se do aq shumë serbët në Kosovë, sa do të ruaj beneficet e veta si garniturë politike drejtuese. Mbi të gjitha, politika e sotme e Beogradit është emocionale në raport me to, dhe emocionet (sidomos emocionet nacionaliste) dihet se janë të përkohshme. Shumë e afërt është dita kur ata do t‘i "braktisin", ndërsa fatet e gjithë banorëve të shtetit të Kosovës lidhen me atë se sa vetë zgjedhin demokratikisht problemet brenda shtetit të vet.

Pas datës 17 shkurt të një viti më parë, ka nisur një jetë e re me horizont të ndritur për të gjithë, që eliminoi disa praktika të realizuara prej Serbisë, si manipulimi e keqpërdorimi i serbëve të Kosovës për realizimin e qëllimeve e synimeve arkaike, mbarsja me urrejtje ndëretnike, e pastaj përpjekjet e dëshpëruara të pasluftës, si hapja e qendrave të votimit edhe në territorin e Kosovës për të dëshmuar kinse Kosova është pjesë e Serbisë, zbatimi i një programi mësimor në shkolla të drejtuara prej Ministrisë serbe të Arsimit etj. Në kuadrin e sovranitetit e autoritetit të shtetit kosovar, vetë komuniteti serb po e kupton gjithnjë e më shumë se zhvillimi social-ekonomik, kulturor, arsimor e shëndetësor do të varet prej buxhetit që përcaktohet nga Prishtina e jo nga Beogradi, nga politikat e strategjitë social-ekonomike e kulturore që ndërtohen në Prishtinë.

Këtë e ka kuptuar edhe Serbia, por nuk e lë megalomania dikur perandorake e sot postdiktatoriale t‘ia thotë popullit të vet hapur. Ministri i Ekonomisë në qeverinë serbe, fill pas pavarësisë, është shprehur, se "ne nuk mbajmë përgjegjësi për borxhet që i ka Kosova institucioneve ndërkombëtare". Kjo sigurisht që është një barrë e rëndë për Republikën e Kosovës, shtetit më të ri demokratik në botë, pasi është fjala për më shumë se një miliard dollarë, por më i rëndësishëm është fakti se vetë politika serbe (përmes një anëtari të rëndësishëm të qeverisë së saj) po e pranon pavarësinë e Kosovës si një akt i natyrshëm, që nuk ka kthim prapa.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›