E Diel, 1 Nëntor 2026

Si e definon vdekja jetën

1.

Qe javë e vdekjeve kjo. Isha në varrimin e një njeriu të hareshëm i cili u shndërrua në kufomë, supozon policia, për shkak se vendosi vetë për këtë punë. Pastaj të nënës së një miku. Pastaj lexova për fëmijën shtatëvjeçar që gjeti vdekjen nga kafshimi i qenve endacakë. Pastaj, dëgjova për vdekjet që po vijnë së shpejti, të dy të sëmurëve terminalë prej kancerit. Dhe pastaj mora në dorë "Librin e filozofëve të vdekur" të profesorit të filozofisë, Simon Critchley (Vintage boks, New York, 2009), një dëfrim intelektual me vdekjen e 190 e kusur filozofëve, që nga kohët antike deri më sot, dhe definimin e tyre të vdekjes, me pikënisjen e Ciceronit se "të filozofosh është të mësosh se si të ///////////vdiset" (leksion ky që filozofi do ta mësojë në momentin kur të urdhërohet vrasja e tij nga Mark Antoni).

Në fund të librit, do të mësoj se vdekja ndodh në çdo formë të mundshme, por nuk besoj të jetë e përsëritshme si ajo e Kantit. Filozofi i famshëm gjerman do të zgjohej në 4:55 të mëngjesit, për të ngrënë kafjallin në 5:00, do të përgatiste ligjëratën e ditës me një llullë duhani e çaj deri më 7 kur do të zbriste në katin e poshtëm ku do të mbante ligjëratën dyorëshe, pas së cilës do të ngrihej në katin e sipërm deri në 12 e 45 kur do të njoftonte kuzhinierin se afrohej koha e drekës, të cilën do ta hante saktësisht në 13:00, në përcjellje të mes katër deri në tetë mysafirëve, sepse Kanti besonte se të folurit gjatë drekës e ndihmon tretjen e ushqimit. Pastaj do të merrte shëtinë e tij të zakonshme, me të cilën zonjat e Konigsbergut do të dinin se ç‘orë ishte, do të kthehej në shtëpi dhe pas një mbrëmje të shkrimit e leximit, do të binte në gjumë saktësisht në orën 22:00, duke përsëritur emrin "Ciceron" disa herë para se ta merrte gjumi. Në vitet e fundit të jetës, do të sëmuret nga stomaku, do ta humbasë apetitin dhe në moshën e tij tetëdhjetëvjeçare, ditën e fundit të jetës, asistenti i tij do t‘ia ofrojë një lugë ujë të përzier me verë të ëmbël e filozofi do të përcaktojë saktësinë e momentit të vdekjes, duke shqiptuar fjalën e tij të fundit, "Sufficit!". (Për qeveritarët kosovarë: kjo fjalë nuk do të thotë krijim i panevojshëm e pandërgjegjshëm i një shume të pashpenzuar të parasë publike, por ishte shprehje në latinishte për "Mjaft është!")

2.

Një nxënës e pyet filozofin e famshëm kinez, Kongzi (të cilin fretërit e krishterë e quajtën Konfuçi):

-A mund të të pyes për vdekjen?

-Ti nuk e kupton as jetën. Si mund ta kuptosh vdekjen?

Të kuptuarit për jetën e vdekjen, apo definimi i jetës nëpërmjet vdekjes është njëri prej fondamenteve të filozofisë, thotë autori.

Për Senekën, plakun e urtë romak, "nuk është se kemi kohë të shkurtër për të jetuar, por se e shpenzojmë kot pjesë të madhe të saj".

Këtë e kuptojnë tash, më mirë se kurrë ata që i afrohen vdekjes, qoftë me moshë, qoftë me sëmundje, siç është kanceri terminal.

Dhe, për ta, vlejnë në veçanti dy këshilla të prijësit të famshëm ushtarak romak, Mark Aurelit, "të jetosh çdo ditë si të ishte e fundit, kurrë i shqetësuar, kurrë apatik...ky është perfeksioni i karakterit". Dhe: "Vdekja është frikësuese për ata që nuk kanë mundësi të kenë një të tashme".

Por, një vizion i këtillë luftarak, i gëzimit të jetës nuk është gjithherë i ndarë nga filozofët. Gati dy mijë vjet pas romakëve, një shkollë tjetër, ajo e gjermanit Schopenhauer, do të dalë me një version tjetër të jetës e vdekjes. Sipas tij, "jeta është vuajtje e krimit të të lindurit", ngase njeriu nuk është i përgatitur për vuajtje, pra është edhe keq i përgatitur për jetë. Dhe, në një formulim që mund të dëgjohet ndonjëherë edhe në odat kosovare të hapura për vizita ngushëllimi (ndonëse jo në këtë formë perëndimore), Schopenhaueri do të deklarojë se:

"Jeta është një hua e marrë nga vdekja, me gjumin si kamatë ditore e kësaj huaje".

(Në Kosovë do të dëgjohet se si "Të gjithë ne jemi mysafirë në këtë botë")

3.

I njëjti refren do të përsëritet në varrime, përkohësia e qëndrimit tonë në këtë botë e rruga jonë për në botën tjetër.

Pyetja është se a shkojmë në botën tjetër? Kjo pyetje e përcjell filozofinë dhe vet filozofët përgjatë tërë historisë.

Shën Augustini, para se të konvertohej në katolicizëm, vajtoi për nënën e vdekur, sepse "nga jeta e saj dhe jeta ime është bërë një jetë e vetme". Humbja e saj, për të shenjtin, ishte humbje e një pjesë të tij. Kur konvertohet, megjithatë, e zbulon jetën pas vdekjes, e atëherë vajton për shkak se ka vajtuar pa nevojë.

Schopenhaueri, nga ana e tij, duke e konsideruar jetën pak a shumë si një aksident, megjithatë ringjall shkollën e Stoikëve të antikës greke dhe Daoizmit kinez, duke ringjallur idenë e shkrirjes së materies e shpirtit njerëzor, me Vullnetin që e krijoi këtë botë e jetë, në një gjendje tjetër, jetë e botë tjetër. Dhe këtë e quajti palingenesis.

Por, Antistheni, njëri prej Stoikëve dhe mik i Sokratit, do të jetë aktor i një këmbimi që do të shënohet e përsëritet në shkolla të ndryshme filozofike gjatë dymijë vjetëve të ardhshëm.

Edhe atij do t‘i flitet për jetën pas vdekjes. Një prift i lartë do t‘i rrëfejë misteret e rrugëve Orfike për në jetë pas vdekjes dhe për mrekullitë e të jetuarit në Had.

Antistheni do t‘i përgjigjet priftit:

"Pse nuk po vdes ti atëherë?"

Ndoshta përgjigjen ka mundur ta japë "princi i filozofisë" antike greke, Demokriti, i cili shkroi se "Budallenjtë duan të jetojnë thellë në pleqëri, sepse i frikohen vdekjes". Ndonëse, si edhe te profetët tjerë, Demokriti nuk u mbeti besnik fjalëve të tij. Anipse nuk ishte budalla, vdiq në moshën 109-vjeçare.

4.

Çdonjëra prej vdekjeve, të ndodhura e të paralajmëruara gjatë javës kishte shpjegimin e vet filozofik në këtë libër. Njeriu i hareshëm, i cili supozohej se ia mori vetes jetën ishte pjesë e një debati që filloi që nga koha e stoikëve të antikës greke, ku konsiderohej si mungesë guximi nëse nuk vetëvriteshe po të ishe i sëmurë apo në pamundësi për të jetuar. Atyre që iu paralajmërua vdekja nga sëmundja ballafaqohen me dilemën e njëjtë me të cilën u ballafaqua edhe Goethe kur u shpreh se qenia njerëzore nuk mund të mendojë fundin e të menduarit dhe të jetës. Për mendjen e njeriut ekziston jeta e pafund, shprehej Goethe andaj edhe fjalët e tij të fundit ishin "Mehr Licht!", "Më shumë dritë!".

Miku që humbi nënën ballafaqohet me humbjen e një pjese të vetes, siç e shpjegoi Shën Augustini, por njëkohësisht edhe me njohurinë që e ka shënuar Epikuri para erës sonë: "Mund të fitohet siguria kundër të gjitha gjërave. Por, kur vjen vdekja, ne qeniet njerëzore jetojmë në një qytet të pafortifikuar".

Në debatet filozofike gjen interpretime edhe rasti i fëmijës shtatëvjeçar të vrarë nga qentë endacakë. Filozofi gjerman Heidegger do të nxjerrë teorinë e tij se të "jetuarit është koha", gjegjësisht se ne jemi në një gjendje të jetës për në vdekje dhe se mbërrijmë të kuptuarit për veten jo në kontekstin e Zotit, por "nëpërmjet të konfrontimit me vdekjen, duke nxjerrë kuptim nga finaliteti ynë".

Fëmija shtatëvjeçar vështirë se do të nxirrte çfarëdo konkludimi të Heideggerit. Sipas Heideggerit, shpjegon Crutchley "vdekja është ai limit mbi jetën time të cilin duhet ta zë dhe ta kuptoj në mënyrë që të jem në mënyrë autentike ai që jam".

Por, kundër këtij argumenti të Heideggerit është filozofi francez Levinas, dhe shumë më afër interpretimit të vdekjes së shtatëvjeçarit. Sipas tij, vdekja është diçka që nuk mund të parashikohet, përfaqësohet e as kuptohet. Vdekja, shpjegon Critchley teorinë e francezit, nuk është ngjarja që do të formësojë veten, por është një ngjarje e panjohshme që "shkatërron kornizën e jetës sime".

Dhe, ashtu si në odat kosovare të ngushëllimeve, bëhet përpjekja që të relativizohet vdekja, këtë do ta bënte më herët një filozof i njohur, Hobbes, i cili tha se "nuk duhet të vajtojmë për një vdekje se do të na mbetet shumë pak kohë për vajtimin e vdekjeve të tjera".

5.

Çdo njëri mendon për vdekjen dhe mendjet më të ndritura e shohin ndonjëherë prej këndeve jo shumë të ngritura. Michel Eyquem de Montaigne, filozof i shekullit XVI ishte i preokupuar me padrejtësinë e aktit të të vdekurit kur pa se si vëllai i tij 23-vjeçar vdiq, pasi që e goditi topi i tenisit mbi veshin e djathtë, ndërsa njëkohësisht shihte "se si tre njerëz të padenjë vdesin në perfeksion".

Por, ndoshta, i udhëhequr me mendimin antik të Senekës se "Do të jetojë keq ai që nuk di të vdes mirë", nobelisti Bertrand Russell në veprën e tij "Pse nuk jam i krishterë" do të përpiqet që nëpërmjet të definimit të vdekjes të arrijë atë që dy mijë vjet filozofie kanë bërë para tij, të definojë jetën: "Besoj se kur të vdes do të kalbem dhe nuk do të mbijetojë gjë nga uni im. Nuk jam i ri dhe e dua jetën. Por, do të neveritem nga dridhja e frikës prej të menduarit për vdekjen. Lumturia është megjithatë lumturi e vërtetë sepse i vjen fundi, e as mendimi dhe dashuria nuk humbasin në vlerë pse nuk janë të përjetshme".

Dy mijë vjet para Russellit, Ciceroni do t‘i shtonte këtij mendimi edhe një "...et quod dificilus dictu est, mortui vivant" ("...dhe sado e vështirë të thuhet, të vdekurit jetojnë")

Natyrisht, në libra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›