Tregtia ambulante e syzeve optike, shqiptarët vizitohen në trotuare (FOTO)
—-Nga Arisa Liço—-
Tiranë- Kultura e shqiptarëve për tu kujdesur për shëndetin është minimale, çka dëshmohet jo vetëm nga fenomeni i marrjes së medikamenteve në farmaci pa recetën e mjekut, por edhe të syzeve me numër optik në tezgat e shitësve ambulantë, pa marrë parasysh rrezikun që u kanoset shëndetit.
Për të qarë e qeshur tregtarët ambulantë, të cilët bashkë me syzet shesin çamçakezë, paketa cigaresh e çokollata, duket se po u bëjnë konkurrencë dyqaneve të syzeve optike. Madje, vetë shitësit u kanë zënë vendin edhe mjekëve okulistë, duke i ndihmuar qytetarët të gjejnë numrin e syzeve.
Mi jep pak syzet, ja, ta shohësh që unë jam ekspert, une me syrin tim arrij ta dalloj direkte që ti ke një numër të vogël. Punon përpara kompjuterit ti?, më pyet shitësi, dhe ndërkohë që unë i ka dorëzuar syzet e mia (që i kam marrë me këshillën e mjekut dhe janë porositur në një dyqan optik), ai e gjen numrin dhe më thotë: Syzet e tua janë (-1).
Në këtë rast qëlloi në shenjë, paçka sipas specialistëve të fushës nuk është kjo mënyra e duhur të kujdesësh për shëndetin. Por shitësit tashmë luajnë edhe rolin e mjekëve.
Nuk ka nevojë- thotë shitësi tek bulevardi Zogu I- vjen ti për shembull, e unë të them çfarë shqetësimi ke? E unë me mendjen time, se unë kam vite që e bëj këtë punë dhe jam mësuar, ehuu sa shumë njerëzve ua kam gjetur unë numrin kështu, me mendjen time bëj ato llogaritë, sa është distance e syve, e sa duhet numri edhe i them: Merr provo këtë numër, e më thonë: Bravo, po si ma gjete, ja këto më qetësuan,- shprehet shitësi me mburrje.
Në një vëzhgim të Gazetës IDEA, vetë qytetarët e pranojnë se janë konsumatorë të këtyre produkteve që shiten në karroca në cepat e rrugëve. Por jo të gjithë shitësit bëjnë rolin e mjekut, ka edhe nga ata që thjesht ju intereson pazari tek çmimi me blerësin dhe shprehen vetëm: Këtë numër e kam. Këtë numër nuk e kam, por kalo njëherë nesër se ta siguroj.
Teksa problemi kryesor për qytetarët qëndron tek vlera monetare. Është ajo që i largon përtej dyerve prej xhami të dyqaneve optike.
Po unë blej shpesh syze, po i blej të lira, nga ato 3 mijë lekëshet tek tregu. I përdor të lexoj gazetën nga afër,- thotë një burrë që pranon se cilësia e tyre lë vërtet për të dëshiruar: Janë janë të dobëta, po çtë bëjmë ne të shkretët? Kaq e kemi hapin. Më të shtrenjta nuk i blejmë dot.
Çmimet e syzeve optike që shiten rrugëve variojnë nga 200, 250, 400, 800 lekë të reja, deri në 2.000 lekë të reja, që shitësit i nxjerrin si me mburrje:
Ja unë kam edhe syze që në dyqane shiten 200 Euro, ti tregoj unë ty, shiko çfarë skeleti, këto janë cilësi më e mirë, por nuk ecin shumë, më shumë shiten këto 2 mijë, 4 mijë lekë,- thotë ai.
Dhe çmimet variojnë edhe sipas zonave ku janë të vendosura karrocat. Një tjetër shitës ambulantë tek rruga e Elbasanit, tregon se syzet i shet 3 mijë dhe 8 mijë lekë, e nuk ka pazar tjetër. Ndërsa në dyqanet optike variojnë pothuajse gjithmonë mbi 100 mijë lekë, e në rastet e ofertave, kapin edhe shifrat e 50-60 mijë lekëve.
Po cilat janë problemet që lindin nga blerja dhe përdorimi i këtyre lloj syzeve që shiten rrugëve dhe sidomos pa këshillën e mjekut.
Në një intervistë për Gazetën Online IDEA, Arbri, një nga shitësit në një dyqan syzesh optike, shprehet se lodhja e syrit me këto lloj xhamash, që nuk e kanë asnjëherë të saktë numrin e tyre, bëhet shkak për dëmtimin e shikimit.
Problemi i parë është numri i xhamave, asnjëherë nuk e kanë të saktë numrin që tregojnë, ndryshon, por ky ndryshimi është ai që bën lodhjen e syrit. Tjetër problem është edhe cilësia e xhamit, ato janë xhama të prodhuara seri, kineze, të cilat nuk e kanë një standart të caktuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa edhe distance pupilare, pra largësia ndërmjet dy bebeve të syrit nuk është e njëjtë, shitësit nuk e masin dot që edhe syzet ti prodhojnë enkas për secilin sy, pra të gjitha këto e lodhin syrin dhe e mbingarkojnë.
Sipas Arbrit, përveç mungesës së parave, problem qëndron edhe tek çështja e mentalitetit të njerëzve.
Ka edhe persona që vijnë në dyqan dhe nuk pyesin fare as për cilësinë e xhamit, po as për numrin, thjesht provojnë skeletet përpara pasqyrës dhe nëse ndihen mirë, për ta është në rregull.
Ndërsa për të mbetet ende si problem mirërregullimi i tregut.