Ronaldinho fiton në debutim me Flamengon

Mbi 40 mijë tifozë të Flamengos e mbushën stadiumin Enganhao të mërkurën për të përshëndetur Ronaldinhon në debutimin e tij për klub, duke shpalosur një mozaik që shkruante “Mirë se vjen R10”.
Në paraqitjen e tij të parë për një skuadër braziliane pas 10 viteve, Ronaldinho i ndihmoi Flamengos të fitojë 1-0 përballë Nova Iguacu në ndeshjen e vlefshme për kampionatin shtetëror të Rio de Janeiros.
“Pas një kohe të gjatë pa luajtur, më nevojitet të gjej ritmin, të përshtatem me bashkëlojtarët me të cilët nuk kam luajtur asnjëherë më parë. I falënderoj ata që më kanë pritur ngrohtë si dhe tifozët e mrekullueshëm. Kjo është njëra prej ditëve më të lumtura në jetën time”, tha Ronaldinho.
Ai nënshkroi për Flamengon në janar të këtij viti, në përpjekje të kthehet në formë të mirë dhe të fitojë një vend në Kombëtaren e Brazilit për Kampionatin botëror 2014. Ai fitoi Kampionatin botëror me Brazilin më 2002 dhe luajti edhe në garën e vitit 2006, por pas një periudhe të formës jo të mirë në Milan, ishte lënë jashtë edicionit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut.