E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionohet Neville

Gary Neville ka përfunduar karrierën e tij si futbollist. Mbrojtësi i djathtë i Manchester United bëri 602 paraqitje për gjigantin nga Old Trafford, duke u shndërruar në legjendë të klubit. I lindur e i rritur si tifoz i Djajve të Kuq, 35 vjeçari thotë se ka realizuar çdo ëndërr që ka pasur. Nga Express më 04 shkurt 2011 në ora 11:19

Mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville është pensionuar nga futbolli profesionist. Neville, 35 vjeç, bëri 602 paraqitje për gjigantin nga Old Trafford, pas debutimit më 1992 si dhe zhvilloi 85 takime me Kombëtaren e Anglisë.

“Gjatë gjithë jetës time kam qenë tifoz i Manchester Unitedit dhe kam realizuar çdo ëndërr që kam pasur”, tha ai. “Jam i dëshpëruar që ditët e mia prej futbollisti erdhën në fund. Mirëpo, kjo ndodh për secilin dhe duhet të dini se kur është koha dhe për mua, ajo është tani”, shtoi ai.

Mbrojtësi i djathtë u transferua në Manchester United në korrik të vitit 1991 dhe debutoi për klubin në shtator 1992, në një ndeshje të Kupës UEFA kundër Torpedo Moska. Ai ishte pjesë e ekipit ku përfshiheshin edhe David Beckham, Nicky Butt, Ryan Giggs dhe Paul Scholes, që fitoi FA Youth Cup më 1992.

Së bashku me këta futbollistë, Neville u bë titullar në Old Trafford dhe gjatë kohës që kaloi në klub fitoi Ligën e Kampionëve, tetë tituj në Premierligë, tri kupa FA dhe dy Kupa të Ligës.

Neville u emërua kapiten i Manchester Unitedit më 2005 dhe u bë mbrojtësi i djathtë me më së tepërmi paraqitje për Anglinë, duke luajtur me pesë selektorë të ndryshëm. Fraktura në nyjën e këmbës, dëmtim që pësoi në ndeshjen në Bolton në mars 2007, e mbajti jashtë fushës për një sezon të plotë.

Edhe pse arriti të kthehet dhe bëri edhe 33 paraqitje të tjera për klubin, Wes Brown, John O’Shea dhe Rafael kanë paraqitur konkurrencë të fortë për të në pozitën e mbrojtësit të djathtë. Ai u tërhoq nga roli i kapitenit të ekipit në shtator të vitit 2010, edhe pse vazhdoi ta luajë atë rol jashtë fushës.

Derisa njoftoi për pensionimin e tij të menjëhershëm, Neville tha: “Kam luajtur kundër ekipeve më të mëdha të futbollit, kam luajtur me disa prej futbollistëve më të mirë në botë si dhe kundër tyre, dhe kam qenë me fat të jem pjesë e një skuadre që arriti sukses të madh. Ka shumë njerëz që dua t’i falënderoj dhe sigurisht në krye të asaj liste është Sir Alex Ferguson. Ai më ka dhënë mundësinë dhe përkrahje të vazhdueshme në 20 vitet e kaluara. Ai është njëri prej trajnerëve më të mirë. Po ashtu kanë qenë shumë futbollistë me të cilët kam pasur privilegjin të stërvitem dhe të luaj së bashku. Këto përvoja do të mbeten me mua gjatë gjithë jetës”.

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, deklaroi: “Gary është mbrojtësi i djathtë më i mirë në Angli i gjeneratës së tij. Ai është shembull për çdo profesionist të ri, punëtor i madh, besnik dhe inteligjent”.

Neville spekulohej me kalim në televizion si analist, ndërsa konsiderohet edhe kandidat për të filluar karrierën si trajner.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›