E Diel, 1 Nëntor 2026

Mundjes i hiqen kufizimet

Federata e Mundjes e Kosovës edhe zyrtarisht është pranuar me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Mundjes. Kjo e fundit vendimin e saj ia ka kumtuar kryetarit të FMK’së, Naim Muja. Tani duhet të ndërkombëtarizohen edhe dy sporte olimpike, në mënyrë që Komiteti Olimpik i Kosovës të mund të aplikojë për pranim në atë ndërkombëtar. Nga Valon Konushevci më 04 shkurt 2011 në ora 13:45

Federata e Mundjes e Kosovës (FMK) përfundimisht është pranuar me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Mundjes (FILA).

Në fakt, kjo federatë është inkuadruar në FILA qysh në vitin 2008, por me të drejta të kufizuara – përkatësisht garuesit kosovarë nuk kishin të drejtë për pjesëmarrje në kampionate evropiane dhe botërore.

Ndërsa, tani garuesit kosovarë do të mund ta prezantojnë Kosovën edhe në kampionate botërore edhe në ato evropiane.

Lajmin e ka konfirmuar për Express kryetari i FMK-së, Naim Muja. “Faktikisht ne veç kemi qenë të pranuar me të drejta të plota në FILA, por pat munguar vetëm zyrtarizimi. Ndërkohë, në këtë javë edhe zyrtarisht jemi të pranuar me të drejta të plota në FILA”, deklaroi Muja.

“Kryetari i FILA-s më ka telefonuar dhe më ka njoftuar me vendimin e FILA-s, e cila zyrtarisht e pranon FMK-në me të drejta të plota”, u shpreh Muja.

Ai kujtoi se FILA e ka marrë këtë vendim, ndonëse është përballur me presionin serb dhe aleatëve tjerë të saj.

Ai u shpreh i bindur se garuesit kosovarë të këtij sporti luftarak do ta prezantojnë Kosovën në mënyrën më të mirë në pjesëmarrjen e tyre për herë të parë në kampionatin evropian.

“Deri më tani kemi garuar nëpër turne të ndryshëm ndërkombëtarë, që figurojnë në kalendarin e FILA-s. Në ata turne kemi rrëmbyer shumë medalje. Jam i bindur se të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe në kampionatin evropian dhe atë botëror, sepse në federatën tonë punojmë shumë dhe bëjmë më pak spektakël medial”, përfundoi Muja.

Në këtë mënyrë mundja është sporti i tretë olimpik i Kosovës që ndërkombëtarizohet me të drejta të plota. Para saj me të drejta të plota qe ndërkombëtarizuar Federata e Pingpongut e Kosovë dhe Federata e Peshëngritjes.

Shumë afër ndërkombëtarizimit me të drejta të plota është edhe Federata e Hendbollit e Kosovës, e cila aktualisht është e njohur ndërkombëtarisht, por me kufizime. Ndërkohë, gjatë verës pritet të ndërkombëtarizohet me të drejta të plota edhe Federata e Shenjëtarisë e Kosovës.

Me ndërkombëtarizimin e këtyre pesë federatave të sporteve olimpike do të plotësohej kushti teknik, përkatësisht do t’i hapej rruga Komitetit Olimpik të Kosovës për të aplikuar për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në këtë mënyrë sportistët kosovarë do të dilnin prej izolimit shumëvjeçar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›