E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldinjo & Henri, jashtë garës për Topin e Artë

Revista franceze “France Football”, që çdo vit jep “Topin e Artë”, ka publikuar listën me 30 kandidatët për fitimin e këtij trofeu prestigjioz.

Ajo që bie në sy është mungesa e francezit Tierri Henri dhe brazilianit Ronaldinjo, të cilët nuk kanë arritur të futen në listën përfundimtare.

Sulmuesi i Barcelonës, i cili ishte protagonist i një sezoni të vështirë në La Liga dhe së bashku me transalpinët u eliminua në raundin e grupeve në Euro 2008, “përjashtohet” për herë të parë nga 30 më të mirët që prej vitit 1999.

Edhe mungesa e Ronaldinjos shpjegohet me edicionin për t’u harruar që kaloi vjet në “Kamp Nou”. Lojtari, që gjatë verës u transferua te Milani, e ka fituar këtë trofe në vitin 2005.

“Është më se normale, nuk kam luajtur shumë gjatë sezonit të kaluar”, deklaroi Ronaldinjo për kanalin televiziv francez, TF1. Në garën e vitit 2008 mungojnë edhe dy lojtarë të tjerë që në të kaluarën e kanë fituar “Topin e Artë”: italiani Fabio Kanavaro (në 2006-ën) dhe ukrainasi Andrij Shevçenko (në 2004-ën). Kjo lidhet edhe me faktin se tashmë lista me emrat e kandidatëve për këtë trofe prestigjioz është shkurtuar në 30 emra, nga 50 që ishte në të kaluarën.

Spanja, kampione e Evropës në fuqi, numëron shtatë lojtarë në këtë listë, duke përfshirë këtu edhe mesfushorin e Arsenalit, Çesk Fabregas, portierin e Realit të Madridit, Iker Kasiljas dhe sulmuesin e Liverpulit, Fernando Torres.

Për këtë të fundit mendohet se mund të jetë mes tre të parëve, pasi shënoi golin fitues për Spanjën në aktivitetin që u zhvillua në Austri dhe Zvicër dhe ishte protagonist i një sezoni spektakolar në “Merisajd”.

Edhe klubi më i përfaqësuar në këtë garë është spanjoll. Bëhet fjalë për Realin e Madridit me pesë emra, ku përveç Kasiljas janë edhe mbrojtësi portugez, Pepe, mbrojtësi spanjoll Serxho Ramos dhe dy holandezët Rafael Van der Vart dhe Rud Van Nistelroi.

Një tjetër fakt interesant është se Brazili ka në garë vetëm një futbollist, mesfushorin e Milanit, Kaka. Ndërsa Italia, kampione e botës në fuqi, me dy: portierin Xhanluixhi Bufon dhe sulmuesin e Bajernit të Mynihut, Luka Toni. Mançester Junajtid, fitues i Ligës së Kampioneve në sezonin e kaluar, ka katër kandidatë për “Topin e Artë”: favoritin kryesor për fitimin e trofeut, mesfushorin portugez Kristiano Ronaldo, sulmuesin e Anglisë, Uein Runi, portierin Van der Sar dhe mbrojtësin Nemanja Vidiç.

Në anën tjetër, Çelsi, që luajti në finalen e aktivitetit më të rëndësishëm për klube në kontinent, përfaqësohet me tre lojtarë, mesfushorët Mikael Balak e Frenk Lampard dhe sulmuesin Didier Drogba.

Superioriteti i paraqitur në fushë nga klubet angleze gjatë vitit të kaluar, përforcohet edhe nga prezenca e kapitenit të Liverpulit, Stiven Xherard.

Në fakt, Premiershipi numëron në total 11 yje, diçka më shumë se 1/3 e të gjithë konkurrentëve. Në listën përfundimtare nuk kishin si të mungonin as ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, i cili shihet si konkurrenti më i fortë i Kristiano Ronaldos dhe sulmuesi i Interit, suedezi Zlatan Ibrahimoviç.

Trofeu, që ndryshe njihet edhe si çmimi për “Lojtarin më të Mirë të Vitit në Evropë”, do të jepet më 2 dhjetor. Për të zgjedhur fituesin do të votojnë 96 gazetarë sportivë nga e gjithë bota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›