Ronaldinjo i kërkon martesë, futbollistja suedeze e refuzon
Ronaldinjo i dashuruar me një suedeze, i kërkon të martohet, por ajo i thotë “Jo, faliminderit”. Tam për një skenar filmi hollivudian. Fantazisti brazilian gjatë Lojërave Olimpike të Kinës, jo vetëm që ishte kapiteni i “Seleçaos”, por ra brenda edhe me një futbolliste të përfaqësueses olimpike të Suedisë, Johana Almgren. Aq sa, sipas faqes suedese “Local”, Dinjo i dashuruar me shikim të parë me futbollisten i ka kërkuar asaj edhe dorën për t’u martuar, por pa mundur të marrë miratimin e saj, edhe për faktin se nuk janë marrë vesh gjatë komunikimit.
Kombëtarja e Brazilit dhe ajo suedeze e futbollit për femra ndodheshin në të njëjtin hotel gjatë Lojërave, ku lindi edhe shkëndija e parë midis tyre. Almgeren, futbollistja bukuroshe suedeze tregon episodin: “Ishim në radhë për autografe. Ronaldinjo i injoroi të gjithë kinezët dhe erdhi drejt meje, më vështroi drejt e në sy, më mori dorën e ma puthi. Për pak sa nuk vdiqa”. Johana vazhdon: “Në fillim mendova se bëhej fjalë vetëm për një shaka, por pak nga pak kuptova se qëllimet e Ronaldinjos ishin serioze”. Me një anglishte të çalë dhe me ndihmën e një përkthyesi ish-ylli i Barcelonës i zyrtarizoi kërkesën Almgrenit për t’u martuar: “Ai nuk fliste anglisht, spanjishtja dhe portugalishtja ime ishin të tmerrshme, kështu që praktikisht folëm me gjeste. Në një farë pike përkthyesi, - tregon më tej futbollistja, - më tha se Ronaldinjo dëshironte të dinte nëse unë dëshiroja të martohesha me të. Isha nën shok, dhe iu përgjigja menjëherë jo”. Zhgënjim për Ronin, megjithatë aspak keq për Almgrenin, e cila nuk u ndje aspak e penduar me përgjigjen e dhënë. “Kam Adamin tim dhe më pret në shtëpi. Edhe pse ata kërkuan të më qetësonin pas tregimit tim për takimin me brazilianët”.
Kina, premio rekord për 51 të artat
350 mijë juan ose tridhjetë e pesë mijë euro. Kaq do të përfitojë secili nga 51 kampionët kinezë, të cilët fituan medaljet e arta në Lojërat Olimpike të Pekinit. Ky përbën edhe një rekord shpërblimesh për sportistët kinezë, pasi në “Athinë 2004”, fituesi i medaljes së artë morri vetëm 200 mijë juan (20 mijë euro), 120 mijë juan për argjendin e 80 mijë për bronzin. Gjithsesi, shifra është vetëm një e katërta e asaj që do të përfitojë një kampion italian në “Pekin 2008”: 140 mijë euro për medaljen e artë, 75 mijë euro për të argjendtën e 50 mijë euro për bronzin.
Reali, 52 milionë euro për Vijën
Të blihet David Vija me çdo kosto. Reali i Madridit vendosi të besojë mbi vlerat e sulmuesit të Valencias, si goditjen më të madhe të sezonit, duke parë edhe dështimin e pistës Kristiano Ronaldo. Presidenti i Realit, Ramon Kalderon, i cili kishte të ofruar hënën 47 milionë euro, tashmë ka venë në pjatë 5 milionë më shumë: një total prej 52 milionë eurosh. Gazeta spanjolle “Marca” shkruan se Reali i Madridit është i gatshëm të dëgjojë propozimet e Valencias për të bërë të mundur sigurimin e shërbimeve të golashënuesit më të mirë të Kampionatit Europian 2008.
Steaua-Gallatarasaraj, masa ekstreme sigurie
Masa sigurie të panjohura më parë do të merren për ndeshjen Steaua Bukuresht-Gallatasaraj, takimi i kthimit për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve. Ndeshja konsiderohet e “rrezikut të lartë” dhe për këtë motiv do të angazhohen 380 policë dhe me shumë se 600 xhandarë. Lajmin e bëri të ditur Kaalin Zmaradesku, drejtuesi i shoqërisë që do të merret edhe me sigurimin e stadiumit. Sipas gazetës rumune “Sporturilor” do të angazhohen edhe 50 truproja për njerëzit e biznesit.
Banega në skandalin e pasaportave
Do të jetë edhe Fernando Gago dhe Ever Banega midis lojtarëve të përfshirë në hetimin e pasaportave false italiane. Kampionët olimpikë argjentinas, në forcë respektivisht me Realin Madridit e Boka Zhunjors, do të jenë midis 80 mijë futbollistëve që kanë plotësuar praktikat për të marrë nënshtetësinë italiane, dokumente të cilat janë sekuestruar për llogari të gjykatës argjentinase, që ka hapur nga ana e saj hetimet qysh në muajin korrik nga gjykatësi Norberto Oyarbide.
Hemilton: “Nuk e njoh frikën”
“Unë nuk trembem kurrë për jetën time. Duket nga zanati që bëj dhe është më mirë kështu”. Këtë e thotë Luis Hemilton për revistën e përmuajshme “Men’s health” (Shëndeti i meshkujve). “Kur hipi në makinë e ndizet motori, adrenalina më nxit të garoj pa kufi”, - rrëfehet piloti anglez i Meklarenit. “Nga ky moment e më pas unë jam në një gjendje mendore që më bën ta ngas veturën në kufijtë e kontrollit, vetëm një hap larg thyerjes. Është si të qëndrosh në ekuilibër mbi një teh brisku dhe të qëndrosh për të gjithë kohën e Çmimit të Madh”.
Mançester Siti kërkon Rajt-Filips
Në pritje të Robinjos nga Reali i Madridit dhe pas huazimit të Shevçekos te Milani, Çelsi është duke menduar edhe largimin e Shaun Rajt-Filipsit. Anësori 26 vjeç është në fokusin e Mançester Sitit, që sipas “Guardian” ka bërë edhe një ofertë prej 13 milionë euro për të blerë kartonin e lojtarit. Skuadra e Luis Felipe Skolarit është e gatshme ta pranojë propozimin, por lojtari ende nuk ka dhënë shenjë për t’u rikthyer te klubi nga i cili ishte larguar tre vjet më parë. Për Sitin do të bëhej fjalë për blerjen e katërt të rëndësishme gjatë merkatos verore. Në dy ndeshjet e parë të Premier Ligës, Mançester Siti ka arritur një fitore me Portsmuthin e një barazim me Njukasëllin.
27 Gusht 2008