Torino-Xhemaili, 1 milion euro transferimi
Një tjetër shqiptar në Serinë A. Blerim Xhemaili është shumë pranë kalimit të Torino në Itali. Shqiptari nga Maqedonia, por me pasaportë zvicerane dhe pjesëtar i Kombëtares helvetike, aktualisht në forcë me Bolton Uonderers në Angli, i pëlqen shumë trajnerit të Torinos, Xhani Di Biazit. Presidenti i klubit italian, Urbano Kairo, pritet të takohet të mërkurën me atë të Bolton Underersit për të rakorduar edhe detajet e transferimit të ish-lojtarit të FC Zyrih në Zvicër. Torino e ka ndjekur prej kohësh Xhemailin përpara se mesfushori të transferohej në Premier Ligë. Shuma e transferimit sipas mediave zvicerane mund të kushtojë rreth 1 milion euro. De Biasi është duke aplikuar sistemin 4-4-2 dhe Xhemaili konsiderohet si një lojtar i rëndësishëm, teksa ka kërkuar që Blerimi maksimumi të enjten të jetë nën urdhrat e tij. Ndeshja e parë e Torinos është ajo kundër Leçes në shtëpi (31 gusht).
Marseja e Canës, homazhe dhe kualifikim
Një kualifikim në zi. Marseja e Lorik Canës, falë edhe fitores në transfertë (0-1) me Bran Bergenin, është shumë pranë kalimit në fazën e grupeve, midis 16 më të mirave të kontinentit. Por, përballja e së mërkurës në “Velodrome”, do të ketë një sfond të trishtueshëm. Një minutë heshtje përpara shkelmimit të topit në ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, Marsejë-Bergen, si homazh për dy tifozët e klubit francez të vdekur gjatë një aksidenti të shtunën e kaluar. Në “zi” do të jetë edhe stadiumi, pasi do të ketë një tapet të zi të shtruar, por dhe banderola me dedikime të veçanta për të kujtuar dy tifozët e grupit të famshëm “Marseja, shumë e fuqishme”. Në mbledhjen ku u morr ky vendim ishte edhe kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, së bashku me presidentin Pape Diuf, trajnerin Erik Gerets, drejtorin sportiv Zhoze Anigo dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të tifozëve. “Ne do të japim maksimumin në fushë për ta. Na duket sikur kemi humbur dy lojtarë”, - tha trajneri Erik Gerets, duke shprehur keqardhjen.
Toski, shqiptari i gjuajtjeve të lira
Humbja 0-2 me Hertën në shtëpi ishte e keqe, por barazimi 1-1 në Këln ishte bukur. Trajneri i Eintrahtit të Frankfurtit, Fridhelm Funkel kërkon më shumë dyluftime, por flet për “Bild” edhe për shqiptarin Faton Toski, të cilit i janë ngarkuar goditjet nga këndi dhe gjuajtjet e lira (ashtu si Skela te Energi Kotbus): “Ne presim shumë nga Faton Toski. Ai tregoi gjatë ndeshjes së Kupës së Gjermanisë dhe fazës përgatitore, se mund të luajë mjaft mirë edhe kundër kundërshtarëve të mëdhenj. Por ai është ende i ri dhe luan për herë të parë në një rrethe të ngushtë në formacionin fillestar. Kjo ështëe edhe për të një përgjegjësi e madhe, papritur të jesh edhe edhe njeriu i ngarkuar për gjuajtjet e lira. Deri tani ai nuk ia arritur, por ne shpresojmë”.
Muzaka mbetet “rob” i partizanëve
Gjergji Muzaka, mesfushori sulmues i Partizanit, do të vazhdojë të paktën juridikisht lojtar i të kuqve, edhe pse ish-beniamini i presidentit Albert Xhani kishte kërkuar zgjidhjen e kontratës me 15-herë kampionët e Shqipërisë. Vendimin përfundimtar e dha Komisioni i Apelit (26.08.2008) pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, që la në fuqi atë marrë 11 ditë më parë nga Komisioni i Disiplinës, më 15 gush 2008. Muzaka, i cili pati një debat me presidentin Xhani pas humbjes 1-3 në Tiranë me Shiroki Brijeg në ndeshjen e kthimit të turit të parë eliminator të Kupës UEFA, nuk stërvitet prej disa javësh me Partizanin, pavarësisht se zyrtarisht është regjistruar si lojtar i kësaj skuadre në Sektorin e Garave të FSHF-së.
Pezo nga Hajduku te Tirana
Lojtari i ri i Hajdukut të Splitit, Toni Pezo në sezonin e ri do të luaj në Shqipëri. Skuadra e Tiranës së shpejti do të prezantojë lojtarin e saj të ri, Pezo, të cilin e dëshironte trajneri i ri i kryeqytetasve shqiptarë. Blazh Slishkoviç.
Pezo sezonin e kaluar ka luajtur në formë huazimi te skuadra boshnjake Zrinjski, ndërsa gjatë verës u kthye në Poljud, mirëpo as në përgatitje nuk kishte aktivizuar. Edhe vitin e kaluar trajner i tij ka qenë Blazh Slishkoviç.
Duka “mbush” me urime turkun
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i dërgoi urimet më të mira homologut të tij turk, Mahmut Ozgener, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Federatës Turke të Futbollit. “Jam i lumtur të konstatoj, që marrëdhëniet midis dy federatave, deri tani kanë qenë në nivele të larta miqësore. Unë shpresoj se nën drejtimin tuaj, marrëdhëniet e dy institucioneve tona do të vazhdojnë në këtë frymë bashkëpunimi, e cila do të forcohet në të ardhmen”, - thotë bosi i futbollit shqiptar.
27 Gusht 2008