Ronaldinjo në Tiranë më 14 tetor

Ky vendim i trajnerit të “seleçaos” bën që automatikisht fantazisti të qëndrojë për t’u stërvitur me Milanin dhe të marrë pjesë në miqësoren që do të zhvillohet në “Qemal Stafa” me Tiranën.
Në këtë mënyrë,Ronaldinjo do të jetë përkrah yjeve të tjerë kuqezi si: Maldini, Sedorf, Shevçenko, Gatuzo apo Ambrozini, që pritet të luajnë në ndeshjen e bamirësisë, për të financuar projektin e UNICEF, i cili parashikon ndërtimin e librarive moderne në të gjithë Shqipërinë.
Miqësorja në kryeqytet, ku do të luhet për trofeun “Taçi Oil Albania Reads”, është organizuar nga Rezart Taçi dhe kjo kupë simbolike synohet të shndërrohet në një traditë të përvitshme.
Nëpërmjet saj synohet që te të rinjtë shqiptarë të shpërndahet kultura nëpërmjet librit. Edhe pse kjo zgjedhje e tij mund të shkaktojë shumë polemika, Dunga ka shpjeguar se përse vendosi të linte “pushim” ish-lojtarin e Barcelonës.
Vendimi i drejtuesit të stolit, që në vitin 1994 ka fituar Kupën e Botës si lojtar, lidhet me aktivizimin e pakët të Dinjos te Milani.
Në tre ndeshjet e fundit,kundër Zyrihut, Lacios dhe Rexhinës, fantazisti është lënë në stol nga Ançeloti. Në Brazil këto janë përkthyer si sinjale që gjendja e tij fizike nuk është në nivelet e kërkuara.
Dunga deklaroi: “Ne besojmë te ky lojtar (Ronaldinjo). Tashmë atij i duhet të stërvitet pak më shumë, që të rigjejë formën më të mirë dhe reflekset e dikurshme. Duhet të përmirësohet”.