E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tekniku Kueiroz me dhimbje koke

Në prag të ndeshjeve eliminatore të Botërorit 2010, Portugalia, kundërshtare e Shqipërisë më datën 15 tetor, ka pësuar edhe dy humbje mjaft të rënda.

Lojtarët e Atletikos së Madridit, Simao Sabroza e Manike janë dëmtuar në takimin e së mërkurën kundër Gedafes dhe aktivizimi i tyre me Kombëtaren kundër Suedisë (11 tetor) dhe Shqipërisë (4 ditë më pas) është në dyshim.

Ky lajm vjen si një goditje e fortë për teknikun luzitan, Karlos Kueiroz, që për ndeshjet eliminatore ka humbur edhe mbrojtësin e Çelsit, Rikardo Karvajo, ndërsa mesfushori Deko është në dyshim.

Mesfushori i krahut, Simao, u dëmtua në gju dhe koha për rehabilitimin e tij mbetet ende e paqartë: ish-kapiteni i Benfikës do të qëndrojë të paktën tre javë jashtë fushave.

Ndërsa Manike, që në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar luajti me Interin në Serinë A, u dëmtua keqas në shpinë dhe u transportua menjëherë në spital.

Koha për rikthimin e tij do të përcaktohet në ditët në vazhdim. Të katërt lojtarët e dëmtuar kanë luajtur si titullarë në takimin që Portugalia humbi me Danimarkën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›