E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: Kapelo nuk ka më besim te unë

Sulmuesi i përfaqësueses së Brazilit, Ronaldo, thotë se ai nuk arrin të kuptojë se cfarë duhet të bëjë që të rifitojë vendin në 11-shen e parë të Realit të Madridit, nën drejtimin e trajnerit Fabio Kapelo. "Gjëja më e keqe përsa i përket të mosluajturit, është ajo që nuk ke besimin e trajnerit dhe, për më tepër, nuk ke mundësi të dish sesi ta rifitosh atë", - ka deklaruar Ronaldo, në një intervistë dhënë dje së përditshmes spanjolle, "ABC". Futbolli 30-vjecar ishte golashënuesi më i mirë i Realit të Madridit sezonin e shkuar, me 14 gola të shënuar në kampionat, pavarësisht se vuajti nga një sërë dëmtimesh shqetësuese.
Por, duke qenë se trajner tanimë është Kapelo, Ronaldo e ka humbur vendin kundrejt holandezit Rud van Nistelroi, kjo edhe për arsye se veterani italian i bankinave i qëndron besnik sistemit me vetëm një sulmues të mirëfilltë. Ronaldo iu nënshtruar një operacioni të lehtë në gjurin e tij të majtë, pas Botërorit 2006, dhe mungoi në fillimin e sezonit të ri. Por, që nga ajo kohë, ai ka luajtur vetëm 100 minuta në ndeshjet e kampionati dhe të Ligës së Kampioneve dhe ende nuk ka shënuar një gol dhe nuk ka qenë në 11-shen e parë të një ndeshjeje.
"Unë nuk e di se cilat janë kriteret që duhen përmbushur për fituar një vend në formacionin bazë", - tha Ronaldo. "Unë jam në një formë të shkëlqyer, qoftë përsa i përket peshës, qoftë cdo gjëje tjetër, - vijoi sulmuesi brazilian i madrilenëve. - Ajo që unë duhet të bëj është që të përpiqem ta tregoj veten. Për momentin që flasim, Kapelo nuk ka besim te unë, pasi, po të kishte, unë do të kisha luajtur më shumë." Pas një vere të mbushur me spekulime përsa i përket të ardhmes së Ronaldos te klubi nëntë herë kampion i Evropës, lojtari ka përsëritur dëshirën e tij për të respektuar kontratën që ai ka me gjiganten madrilene dhe që skadon në 2008-n.
"Unë mendoj që ta respektoj deri në fund kontratën time me klubin e Realit të Madridit, dhe më pas do të luaj edhe dy vjet të tjera në Brazil ose në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do ta lë futbollin në moshën 35-vjecare, - tha braziliani. - Unë jam një tip që nuk dorëzohem lehtë dhe ky është casti që unë të luftoj deri në fund. Gjithsesi, ky është një problem i vogël, krahasuar me të tjerët. Unë jam i lumtur kur luaj futboll... dhe, hëpërhë, nuk po luaj aq sa do të dëshiroja." Reali i Madridit, që renditet i treti në kampionatin spanjoll, pret nesër në fushën e vet Celta Vigon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›