Arlind Nora humb derbin me Elbasanin

Kampioni i vendit, Elbasani do të përballet ditën e shtunë me Luftëtarin, skuadrën surprizë të ardhur nga Kategoria e Parë. Në sfidën me bluzinjtë e Ilir Spahiut do të mungojë protagonisti Arlind Nora, i ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës me 6 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë. Sulmuesi i njohur sezonin e kaluar ka luajtur për ngjyrat e Elbasanit, me të cilin shijoi për herë të parë gjatë karrierës së tij edhe titullin e parë kampion. Elbasani pësoi një humbje të hidhur në Durrës me Teutën vendase (1-0) dhe me të njëjtin rezultat fitoi edhe Luftëtari me Shkumbinin në shtëpi. Diferenca midis dy ekipeve është vetëm tri pikë dhe një fitore e gjirokastritëve në "Ruzhdi Bizhuta" do t'i barazonte dy ekipet në kuotën e 16 pikëve. Teksa u fol për hapjen e një merkatoje të shpejtë "24 orëshe", presidenti Arben Laze ka vënë në shinjestër mesfushorin e Tiranës, Saimir Patushin dhe ish-mbrojtësin e Teutës, Albert Duron, me të cilët sipas tij ka rënë dakord të veshin bluzën verdheblu.