Ronaldo dhe Messi, mbretër të futbollit

Queiroz i cili drejtoi Realin më 2003-04, është i bindur se portugezi dhe argjentinasi janë dy futbollistët më të mirë në botë dhe thekson se përcjellja e tyre është kënaqësi për shikuesit, por edhe trajnerët e skuadrave rivale.
“Messi dhe Ronaldo janë mbretër të futbollit. Ata janë të kundërt, por sporti ka nevojë për të dy”, deklaroi Queiroz gjatë një interviste për uebfaqen zyrtare të FIFA-së. “Si trajner, ju nuk dëshironi të takoheni kundër tyre, por kjo nuk ua ndal kënaqësinë e përcjelljes së tyre”, shtoi ai.
Queiroz komentoi edhe rivalitetin mes Barcelonës dhe Realit të cilët i konsideron si aktualisht skuadrat më të mira.
“Këto janë dy etni të ndryshme. Barcelona ka Messin, Xavin dhe Iniestan që i kanë mundësuar ekipit të fitojë shumë tituj në vitet e fundit, dhe atë me stil. Por, pasi Reali të rikthejë identitetin, ata mund ta dominojnë Barcelonën, po ashtu falë futbollistëve të shkëlqyeshëm që ka në skuadër. Mendoj se ata janë dy ekipet më të mira në botë aktualisht”, u shpreh Queiroz.