E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo e meriton Topin e Artë

Jose Mourinho beson se Cristiano Ronaldo e meriton Topin e Artë për këtë vit. Trajneri portugez insiston se bashkëkombësi i tij, me golat e shënuara, kontribuoi më së shumti në rrëmbimin e titullit të kampionit. 49 vjeçari e përsërit faktin se ky ishte titulli i tij më i vështirë në karrierë, derisa mendon se rekordi prej 100 pikësh në sezon, i arritur nga ekipi i tij, vështirë se mund të arrihet ndonjëherë.

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, insiston se Cristiano Ronaldo e meriton të shpallet futbollisti më i mirë në botë, përpara Lionel Messit. Ky i fundit e fitoi ‘Topin e Artë’ në tri vjetët e fundit, të fundit në janar të këtij viti.

Mirëpo, trajneri portugez beson se Ronaldo do të jetë fitues, kur shpërblimet të ndahen sërish, pasi që ylli portugez luajti rol vendimtar në suksesin e Realit këtë sezon në Primera Division.

Ish futbollisti i Manchester Unitedit shënoi 46 gola këtë edicion në La Liga, të cilat ishin të mjaftueshme për ta mposhtur Barcelonën e Messit, i cili megjithatë e fitoi çmimin ‘Pichichi’, si golashënuesi më i mirë, me 50 gola.

Për këtë arsye, ‘Special One’ beson se bashkëkombësi i tij 27 vjeç do ta fitojë ‘Topin e Artë’.

“Cristiano duhet ta fitojë Topin e Artë, jo vetëm për faktin se ishte golashënuesi më i mirë tek ne dhe më i miri sezonin e kaluar në përgjithësi në Spanjë, por edhe për faktin se golat e tij na sollën titullin”, deklaroi ish trajneri i Portos, i Chelseas dhe i Interit për televizionin portugez SIC.

“Messi realizoi 50 gola, të cilët nuk vlejnë asgjë. Është e njëjta gjë kur Cristiano realizoi 42 gola sezonin e kaluar, por që nuk i shërbyen asgjë. Ronaldo nuk ishte i aftë ta fitonte Pichichin edhe këtë sezon, por besoj se kjo do t’i kompensohet me Topin e Artë”, shtoi trajneri portugez.

‘Mou’ e përshkroi titullin e tij në Spanjë si më të vështirin që e kishte fituar ndonjëherë. 49 vjeçari i ka fituar shtatë tituj në katër vende të ndryshme, pasi mori nga dy në Porto, Chelsea e Inter.

Mirëpo, ai beson se ndalja e Barcelonës ishte sfida më e madhe në karrierë. “Të gjithë titujt ishin të vlefshëm, por ky ishte i veçantë pa dyshim. Mirëpo, mund të them se ky ishte më i vështiri nga shtatë titujt që i kam fituar. Ishte më i vështiri sepse ne kishim përballë një ekip që njihet si më i miri në vitet e fundit”, nënvizoi portugezi.

“Gjatë tërë sezonit kishte presion të madh, sepse nëse do të barazonim ndonjë lojë, do të humbnim pikë në luftën për titull. Kjo është arsyeja pse ishte më i vështiri, por po ashtu mjaft i merituar”, pohoi ai.

Ekipi i Mourinhos grumbulloi 100 pikë, duke e thyer njëherësh rekordin e Barcelonës, e cila kishte mbledhur 99 pikë. Por, për të më i rëndësishmi ishte titulli, edhe pse nuk e fsheh faktin se ndihet i privilegjuar që nën drejtimin e tij, Reali e theu këtë rekord.

“Reali fitoi 32 ndeshje, por ekipi do të kujtohet si skuadra që ka grumbulluar 100 pikë, sepse për momentin është një arritje unike dhe besoj mjaft e vështirë të mposhtet”, përfundoi Mourinho.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›