E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortuna Dyseldorf ne Bundeslige

Fortuna Dyseldorf fitoi të drejtën të luajë në Bundesligë gjatë sezonit të ardhshëm, pas barazimit 2-2 me Hertën e Berlinit, duke fituar duelin në fazën “play-off” me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Kjo ka bërë që Herta, klubi i kryeqytetit gjerman të bjerë në Bundesligën e Dytë, diçka që dukej e paimagjinueshme në gjysmën e sezonit.

Në një sfidë nervoze, e cila u ndërpre dy herë për shkak të fishekzjarrëve dhe hyrjes së tifozëve në fushë, Fortuna arriti të ngjitej në kampionatin elitar pas 15 vjetësh mungesë, mbi të gjitha falë fitores 2-1 të regjistruar në Berlin gjatë javës së kaluar.

Kjo është hera e dytë në tre sezone që Herta zbret në Bundesligën e Dytë, duke bërë që Berlini të jetë i vetmi mes kryeqyteteve të mëdha të Europës pa asnjë skuadër në kampionatin elitar.

Fortuna e nisi në mënyrë të jashtëzakonshme ndeshjen, duke shënuar që prej minutës së parë me Beister, pas një tentative nga 20 metra. Herta arriti të barazonte me Ben-Hatira në të 22-tën dhe krijoi idenë se mund të përmbyste disavantazhin e sfidës së parë.

Por ishte pikërisht Ben-Hatira ai që tradhëtoi skuadrën e tij, duke u ndëshkuar me karton të kuq në të 54-tën, ndërsa vetëm 5 minuta më pas, vendasit kaluan sërish në avantazh me Jovanoviç. Për Hertën nuk shërbeu rrjeta e barazimit 2-2 nga braziliani Rafael në të 85-tën.

Takimi u ndërpre për afro 30 minuta në kohën shtesë, me tifozët që hynë në fushë pasi menduan se gjithçka përfundoi, megjithatë ndeshja rinisi dhe festa vetëm sa u shty për disa minuta. Fortuna Dyseldorf I shtohet Ajntrahtit të Frankfurtit dhe Greuther Furthit që u kualifikuan direct, ndërsa Kaizerslauterni dhe Këlni i dhanë lamtumirën Bundesligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›