E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pat edhe Shoshi

Sezoni 2011/2012 do të mbahet mend gjatë nga trajnerët. Këta të fundit janë ndërruar sivjet aq shpesh nga klubet e Superligës, saqë një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e futbollit kosovar. Kësaj ‘stuhie’ nuk i shpëtoi as Valdet Shoshi, i cili deri të mërkurën ishte trajneri i vetëm që i kishte mbijetuar këtij fenomeni, pasi që nga fillimi i kampionatit i priu Besës.

Në historinë e futbollit kosovar nuk mbahet mend që klubet të kenë qenë më të parehatshme për trajnerë sesa në këtë edicion.

Madje, ‘stuhia e ndërrimit të trajnerëve’ e ka prekur edhe Valdet Shoshin – i cili deri të mërkurën ishte trajneri i vetëm që i kishte mbijetuar këtij fenomeni, pasi që nga fillimi i kampionatit ishte udhëheqës i Besës.

Por, edhe Shoshit i erdhi fundi, fat ky që më herët i kishte prekur edhe shumë trajnerë tjerë. Në fakt, Shoshi ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra shkaku i rezultateve të dobëta nëpër të cilat kaloi kohëve të fundit me Besën.

“Dorëheqjen time ia kam paraqitur kryesisë së klubit, e cila e ka aprovuar atë. Vendosa të jap dorëheqje si hap moral për këto rezultate të dobëta, posaçërisht pas dy humbjeve të thella që i pësuam nga Prishtina e Trepça ‘89”, ka deklaruar Shoshi për Express.

Pejanët deri në fund të këtij kampionati do t’i udhëheqë Miftar Rama, i cili deri më tani ishte ndihmës i Shoshit.

Sidoqoftë, klubet e Superligës së Kosovës, si asnjëherë më parë, nuk kanë qenë më të pasigurta për trajnerë sesa në këtë edicion.

Prej dymbëdhjetë klubeve të elitës, asnjëra nga to nuk udhëhiqet nga trajnerët me të cilët edhe e kishin nisur këtë kampionat. Madje, disa nga to deri më tani i kanë ‘provuar’ nga dy, tre, por edhe katër trajnerë.

Listës i prinë Hysi, i cili këtë kampionat e pati nis me Fadil Ademin, pastaj angazhoi Afrim Tovërlanin, i cili nuk qëndroi më gjatë se dy ditë në Merdarë për t’ia liruar vendin Jusuf Tortoshit, të cilit po ashtu nuk i shkoi gjatë, duke u zëvendësuar sërish nga Tovërlani. Por, para pak ditësh Tovërlani sërish ia liroi vendin Ademit.

Prishtina gjatë vjeshtës udhëhiqej nga Ramiz Krasniqi, të cilin e zëvendësoi me Wolfgang Jeratin, e këtë po ashtu e shkarkuan dhe në vend të tij angazhuan Jusuf Tortoshin.

Kurse Drenica këtë kampionat e pati nis me Tahir Lushtakun, pastaj e angazhoi Afrim Jasharin, e në fund u përforcua me Bylbyl Sokolin.

Liria sezonin e pat filluar me Ali Maralushën, më pastaj detyrën e trajnerit ia besoi Skënder Kaprës dhe më pas angazhoi Skënder Shëngylin, të cilin para pak ditësh e zëvendësoi me Kaprën.

Shëngyli kampionatin e kishte nis me Vëllaznimin, por që u shkarkua për t’ia liruar vendin Ajet Shoshollit.

Për trajnerë i parehatshëm ishte edhe Lepenci, i cili i provoi tre sosh: Selajdin Zenelin, Arsim Abazin dhe Muharrem Sahitin. Me këtë të fundit Gjilani e nisi kampionatin, por pa filluar sezoni vjeshtor e shkarkoi, duke e emëruar trajner të ri Sallah Sherifin. Por, ky i fundit para pak kohësh pati dhënë dorëheqje, derisa gjilanasit sot po i udhëheq Sadullah Ajeti.

Trepça ’89 pat debutuar me Gani Sejdiun, më pas e pati angazhuar Rafet Prekazin. Por, ky i fundit është i sëmurë dhe sot këtë ekip po e udhëheq përkohësisht Veton Çitaku.

KEK-u kampionatin e kishte filluar me Mentor Miftarin, e me gjasë po e përfundon me Fetah Veliun. Edhe te Drita, Bekim Isufi ia liroi vendin Afrim Shahinit, por u rikthye pas një jave. Ndërsa Trepça pasi mbeti pa Fidaim Haxhiun, tani po udhëhiqet nga Xhevat Kurti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›