E Diel, 1 Nëntor 2026

Ronaldo, mes Mançesterit dhe Parisit

Sulmuesi brazilian i pranon bisedimet me Sitin, por merr formë edhe hipoteza e një kalimi në Francë

Sulmuesi brazilian Ronaldo ka përsëritur se është në bisedime me Mançester Sitin dhe ekziston një mundësi reale që ai të luajë në Premier Ligë. 31-vjeçari, pa asnjë lidhje kontraktuale, mendohet se do të jetë i gatshëm në harkun e dy-tri muajve. Ai nuk luan që nga dëmtimi i pësuar në ndeshjen Milan-Livorno, në fillim të muajit shkurt. Mançester Siti, i mbështetur nga sheikët e gurpit arab "Abu Dhabi", pranoi ditën e martë se kishte biseduar me përfaqësuesit e Ronaldos, por nuk kishte ndër mend ta blinte "Fenomenin". Gjithsesi, Ronaldo deklaron se lëvizja e tij në Angli është ende e mundur. "Po, do të ishte një mundësi e madhe për mua, - tha ai, i pyetur nga e përditshmja franceze "L'Equipe" . - Mançester Siti po projekton një skuadër me futbollistë të mëdhenj. Eshtë një projekt afatgjatë, por që kërkon sa më shpejt rezultate, sepse Siti po kërkon një vend në elitën e futbollit botëror. Jam duke biseduar me ta, të shohim..." Braziliani, i cili mendon se riaftësi i tij po shkon shkëlqyeshëm, largon çdo dyshim mbi mundësitë fizike. "Njerëzit mund të thonë atë që duan, - shtoi Ronaldo. - Le të themi se unë jam disi mbipeshë, por kjo është normale. Pesë muaj pa stërvitje është logjike që lënë pasoja, por kam 40 ditë që po stërvitem shkëlqyeshëm dhe ndihem shumë mirë. Ju mund të thoni atë që mendoni, por unë jam gati ta arrij synimin tim dhe të luaj sërish futboll, ashtu si më parë." Kohët e fundit është përfolur edhe për një kalim të Ronit te Paris Sën Zhermenit, atje ku në të kaluarën janë bërë të famshëm brazilianët Rai, Leonadro dhe Ronaldinjo. Pyetjes për një transferim në Ligën 1, ai i përgjigjet: "Nuk kam marrë asnjë ofertë nga ndonjë klub francez, por do të më pëlqente të luaja në Paris. Kam një apartament në Paris dhe shkoj shpesh atje. Kam lexuar se ata më kërkojnë, por unë nuk kam folur me askënd. Di vetëm që kanë ardhur futbollistë, si Makelele dhe Zhyli, me synimin për të ndërtuar një skuadër të denjë për titullin kampion".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›