Mos na harroni

Michael Schumacher ka thënë se Mercedesi nuk duhet të përjashtohet nga gara për titull në Formula 1, pavarësisht paraqitjes së dobët në garën e parë të këtij sezoni në Australi.
Shtatë herë kampioni i botës u kualifikua i 11-ti, ndërsa përfundoi garën në xhiron e 19-të, ndërsa kolegu i tij, Nico Rosberg – i kualifikuar i shtati – po ashtu nuk arriti në cak. Por, Schumacher pranoi:
“Ne duam të paraqitemi më mirë se në garën e parë që ishte dëshpërim për të gjithë ne. Por, është ende shumë herët për të na përjashtuar. Të gjithë në ekip mbeten optimistë dhe jemi të motivuar për të luftuar”.
Një përfundim i fuqishëm në prova sugjeroi se Mercedes i ka zgjidhur problemet fillestare me bolidin e tyre të ri dhe se Schumacher përsëri mund të paraqitet si rival kërcënues. Por, kjo nuk u dëshmua në Melbourne, ku ai në kualifikime mbeti larg prapa Red Bullit, McLarenit dhe Ferrarit.
Në garë, Schumacher pati një aksident në kthesën e parë, që e detyroi atë të hyjë në boks në fund të xhiros së parë, për shkak të një punkture dhe pjesëmarrja e tij në garë zgjati edhe 18 xhiro të tjera, pasi përplasja kishte dëmtuar bazën e bolidit. Gara për Rosbergun përfundoi dy xhiro pas Schumacherit, kur ai ishte i përfshirë në një përplasje me ngasësin e Williamsit Rubens Barrichello.
Schumacher shtoi: “Pres një fundjavë më të mirë për ne (në garën për Shpërblimin e Madh të Malajzisë nga 8-10 prill), një fundjavë pas së cilës mund të fillojmë ndërtimin”.
Ndërsa, shefi i ekipit Mercedes, Ross Brown tha: “Kemi kaluar një fundjavë të vështirë, pavarësisht parashikimeve të arsyeshme nga kompletimi i programit të suksesshëm të testimit në Barcelonë. Pësuam një numër të problemeve të cilat rezultuan në bolid për kualifikime, e më pas edhe në garë ku ishin të pafat dhe pësuan tërheqje të dyfishtë. Prioriteti ynë nga Melbourni, ka qenë rigrupimi, rivlerësimi në detaje i fundjavës dhe rikthimi në mënyrën më të mirë për përmbushjen e potencialit të bolidit nga Malajzia e tutje”.