Prishtina kërkon fitore
Lideri aktual i Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina, të dielën në kryeqytet do të ballafaqohet me Trepçën ’89 në kuadër të xhiros së njëzetetretë.
Tradicionalisht, mitrovicasit kanë qenë kundërshtarë të papërshtatshëm për prishtinasit. Megjithatë, bardhekaltrit besojnë se kësaj radhe nuk do ta kenë aq problem që t’i mposhtin ‘minatorët’ dhe kështu t’i fitojnë tri pikë të reja në rrugën e tyre drejt titullit të kampionit.
Prishtinasit nuk guxojnë të gabojnë në këtë takim, pasi kjo do t’i konvenonte shumë përcjellësit të parë të tyre, Hysit, i cili po ashtu po lufton për titull të kampionit.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. E njohim mirë Trepçën ’89, andaj nuk besoj se do të hasim në vështirësi të mëdha. Do të hyjmë maksimalisht në këtë ndeshje. Nuk do të lejojmë ndonjë befasi, sepse kjo do të mund të na kushtojë”, ka thënë kryetrajneri i Prishtinës, Ramiz Krasniqi.
Në anën tjetër, edhe Trepça ’89 synon të fitojë pikë në kryeqytet. Mitrovicasit po tregojnë paraqitje mjaft të mira në këtë pranverë dhe paraqitje të mirë synojnë të tregojnë edhe në duel me liderin, duel në të cilin nuk e kanë ndërmend të dorëzohen.
“Ky do të jetë takimi më i vështirë që e kemi pasur deri më tani, sepse kemi të bëjmë me një ekip cilësor siç është Prishtina. Megjithatë, ne në Prishtinë shkojmë për ta dhënë maksimumin, për ta nxjerrë ndonjë rezultat pozitiv. Ekipi im është duke kaluar nëpër një periudhë të shkëlqyeshme. Kjo më jep kurajë se edhe kundër Prishtinës vështirë se do të mposhtemi”, ka pohuar kryetrajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu, skuadra e të cilit gjendet në vendin e shtatë të tabelës me 32 pikë. Kurse Prishtina është e para me 49 pikë, shtatë më shumë se përcjellësi i parë, Hysi.
Bardhezinjtë në shtëpi të tyre do të luajnë ndaj Drenicës, e cila po lufton për mbijetesë. Edhe dy skuadrat tjera që po luftojnë për ekzistencë, Flamurtari e Vëllaznimi, do të kenë punë të vështirë në këtë javë, pasi do të jenë mysafirë të Besës, përkatësisht Trepçës.
Superliga – Xhiroja e 23-të
E diel
Prishtina – Trepça’89
Hysi – Drenica
Besa – Flamurtari
Trepça – Vëllaznimi
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00