Rosemary Altea Une flas me engjejt
Ajo sapo ka publikuar një libër për eksperiencën e saj si “ndërmjetëse” mes botës së të gjallëve dhe asaj të shpirtrave. E sjellshme dhe e besueshme, Rosemary ka shkruar plot tetë libra dhe është e njohur në të gjithë botën për aftësitë e saj paranormale. Bën konferenca, seminare dhe kurse spiritualë. Kritikët e saj e akuzojnë se përdor strategjinë “cold reading” (domethënë, aftësinë për të mbledhur informacione nga ndërmjetësuesit e saj për t’i sugjestionuar). Ashtu si një njeri shumë normal, ajo tregon për fëmijërinë, martesën dhe se si zbuloi se kishte një ndjeshmëri që e lejon të shohë atë që ne nuk mundemi.
Si nisi eksperienca juaj?
Kam pasur një familje të vështirë. Kam lindur në Angli dhe nëna ishte shumë agresive me mua, sepse që e vogël shihja figura dhe ndieja zëra. Fshihesha poshtë batanijeve, por ishte e kotë: ata ishin gjithmonë aty. Imë më, më thoshte se isha njëlloj si nëna e saj, që shpeshherë shtrohej në një spital psikiatrik. Më kërcënonte vazhdimisht se do të përfundoja njëlloj si ajo.
Po babai ju mbronte?
Ishte ushtarak, besonte tek rregulli dhe disiplina. Kur diçka e irritonte, mblidhte në sallon gjithë familjen për të vendosur se kë do të ndëshkonte. Shpesh unë isha viktima e tyre. Më çonte në dhomë e më rrihte. Megjithatë, kur mbusha 16 nuk e bënin më, sepse unë vendosa të mos qaja më.
Keni ende raporte?
Po, u pajtuam sërish pas vdekjes. Përkundrazi, për nënën time nuk dua t’ia di më. Jeta me të ka qenë shumë e vështirë.
Si e zbuluat se kishit aftësi paranormale?
Përreth meje kam parë gjithmonë shumë njerëz që më thërrisnin. Isha e terrorizuar dhe shumë vjet u mundova t’i mbaja larg. Sigurisht që kisha frikë se mos isha e sëmurë apo e çmendur.
E mendoni akoma?
Jo, u martova dhe solla në jetë një vajzë. Për vite me radhë u sforcova të bëja një jetë normale. Duhet të mendoja për familjen, të isha nënë e mirë dhe të injoroja “figurat” që më rrethonin.
Çfarë tipi është burri juaj?
Ishte, ashtu si pjesa më e madhe e burrave, shumë imoral. Por, në një farë pike vendosa ta lija.
Sigurisht, nuk duhet të jetë e lehtë të gjesh një partner që pranon një jetë të pushtuar nga shpirtrat.
Është shumë e vështirë! Ku gjen një person të gatshëm të pranojë të vijë në shtrat me mua dhe me një sërë njerëzish të tjerë...
Po pastaj, çfarë ndodhi?
Pas divorcit kam jetuar një periudhë të gjatë vetmie. Nuk doja të dilja, as të takoja njeri. Lëvizja pandërprerë nëpër shtëpi për të mos qëndruar vetëm me gjithë ata njerëz që shihja. Deri kur një ditë miqtë më bindën që të dilja. Shkuam në shtëpinë e një fallxhori. Sapo më pa, më dha në dorë një kryq dhe rashë si në një gjendje ekstaze. Pashë një anije që mbytej dhe një grua pa fytyrë që më kërkonte ndihmë. Shumë kohë më vonë e kuptova se çfarë donte të më thoshte. Doja që të isha ndërmjetës mes atyre që kishin vdekur dhe atyre që ishin gjallë. Ishte pikërisht atëherë që vendosa të pranoja fatin tim dhe të ndihmoja të tjerët. Për herë të parë u ndjeva e lirë të mirëprisja gjithë këto “prezenca” në jetën time.
Si ja arrini që flitni me shpirtrat?
Janë ata që e bëjnë. Për shembull, nëse unë hyj në një librari ku ti sheh 30 persona, unë shoh 100, sepse aty janë edhe të dashurit e tyre që janë larguar nga kjo botë.
Nuk keni dëshirë të qëndroni pak vetëm?
Po, shpesh kam dhimbje të forta koke e më duket se nuk do ja dal më. Por, unë mund të bëj të njëjtën pyetje: ju nuk jeni të lodhur nga të ndenjurit vetëm? Si ja bëni që nuk shihni dot të afërmit tuaj? Nuk ju mungojnë? Unë që i shoh, e di që njerëzit tuaj të dashur që janë larguar nga kjo botë ju rrinë gjithmonë pranë.
Na tregoni ndonjë eksperiencë tuajën?
Kam parë fytyra që qajnë, por që pastaj kanë ndriçuar teksa kanë marrë mesazhet që prisnin prej vitesh për të gjetur pak paqe.
Për shembull?
Kam parë një çift dhe djalin e tyre: ishte një polic që kishte vdekur në një shkëmbim zjarri. Pas asaj dite, prindërit e tij ishin larguar. Përmes meje, ai i kërkoi atyre të afroheshin sërish.
Por, nëse ju keni këtë dhunti, përse shpesh pranoni para për shërbimin që bëni?
Nëse duhet të shëroj dikë, e bëj falas. Për pjesën tjetër, më duhen para për të jetuar.
Ju ndodh që të gaboheni?
Ndonjëherë ngatërrohem: nuk e kuptoj se kujt duhet t’ia jap mesazhin.
Është e vërtetë se ju keni një engjëll mbrojtës që ju ndjek ngado?
Po, po, më shoqëron prej vitesh. Më mbështet, më tregon rrugën e duhur, edhe kur nuk di t’i njoh mesazhet që marr. Tani jemi si një çift i vjetër.
Po vajza juaj, çfarë thotë për këtë dhunti tuajën? Ka frikë se mos e trashëgon?
Ka besuar tek unë dhe më ka mbështetur. Më pranon kështu si jam, dhe unë besoj se jam mamaja më e mirë në botë për të.