E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kristi Vangjeli e Arisi perballe Mancester Sitit ne Europa League

Liverpuli do të ndeshet me Sparta Pragën. Luhet derbi iberik Sevilja-Porto

Pas kualifikimit në fazën e 1/16-ve në Europa League, Arisi i Selanikut ka mësuar kundërshtarin e radhës. Përballë skuadrës ku militon mbrojtësi shqiptar, Kristi Vangjeli, do të jenë milionerët e Mançester Sitit. Një short mjaft i vështirë për ekipin grek, që ka bërë surprizën duke u kualifikuar në Grupin B, ku shkaktuan eliminimin e parakohshëm të Atletikos së Madridit, kampionëve në fuqi të këtij aktiviteti. Pavarësisht kundërshtarëve me emra të mëdhenj, 25-vjeçari kuqezi nuk shfaqet i trembur. “E vlerësojmë kundërshtarin. Mançester Siti është një skuadër mjaft e njohur, që ka bërë investime të mëdha dhe që luan me pretendime në këtë edicion të Europa League”, deklaroi Vangjeli në “SuperSport” vetëm pak minuta pas njohjes së kundërshtarit. “Megjithatë, ne nuk i trembemi kësaj skuadre dhe do të provojmë të vazhdojmë më tej. Mos harroni gjithçka që Arisi arriti të bënte në ndeshjet në grup. Askush nuk e priste, por ne mposhtëm dy herë Atletikon e Madridit dhe arritëm të kualifikoheshim”. Gjithsesi, eliminimi përballë Sitit, me emra si Tevez, Adebajor apo Baloteli nuk do të ishte një tragjedi. Titullari i Kombëtares shqiptare shtoi: “Ne do të paraqitemi në sfidën me Sitin me qëllimin dhe impenjimin të kualifikohemi. Gjithsesi, edhe nëse kjo nuk ndodh nuk do të jetë një tragjedi, për vetë forcën e kundërshtarit që kemi përballë”.

Shorti ka rezervuar një përballje të lehtë për Liverpulin, që do të ketë përballë Spartën e Pragës. Ndërkohë, Zenit St. Petersburg do të luajë kundër Jang Bojs. “Dueli” ndërmjet zviceranëve me rusët kompletohet nga sfida Bazel-Spartak i Moskës. Goglat kanë vendosur edhe dy derbi: atë të vendeve të ulëta, ku belgët e Anderlehti sfidojnë Ajaksin dhe atë iberik, me Seviljan që ndeshet me Porton. Short aspak i lehtë për Rejnxhërs, të cilët do të luajnë me Sporting dhe për Napolin (të vetmen italiane të mbetur në garë), që përballet me Vijarealin. Ndeshjet e para të fazës së 1/16-ve do të luhen më 17 shkurt, ndërsa takimet e kthimit më datë 24 shkurt. Finalja do të luhet më 18 maj në “Dublin Arena”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›