Roshi na bën me krahë, Shqipëria thyen tabunë

Odise Roshi, Edgar Cani dhe Armando Sadiku, duke festuar golin
Dominojmë sllovenët në sfidën e fundit që luhet në “Qemal Stafa”
Mundim për herë të parë Slloveninë, jemi të tretët në renditje.
Nuk kishte lamtumirë më të bukur për “Qemal Stafën”. Edhe pse impianti më i madh në vend dhuron një pamje të mjeruar, më së shumti përsa i përket terrenit, janë kuqezinjtë e De Biazit ata që e zbukurojnë në 90-minutëshin e fundit para shembjes. Një Shqipëri krejt ndryshe jo vetëm në emra, por edhe në koncept loje. Një skuadër që merr iniciativën e para, duke rrezikuar disa herë para se të gjejë “kokën” e Roshit dhe për më tepër nuk i lejon hapësira kundërshtarit duke e mbyllur totalisht në fushën e vet. Madje, në pjesën e parë, Sllovenia, skuadër të cilën nuk e kishim munduar asnjëherë deri tani (5 ndeshje, 3 humbje dy barazime), e la të qetë deri në mërziti Etrit Berishën. Pas një humbjeje me Islandën katër ditë më parë, ishte e kuptueshme që përreth Kombëtares nuk kishte edhe aq shumë entuziazëm. Sakaq, “armik” deri në frymën e fundit na u bë edhe koha e keqe dhe me reshje të rrëmbyeshme shiu, të cilat nuk favorizonin një prezencë të madhe të tifozëve në shkallët e stadiumit. E përsëri këta të fundit nuk munguan (natyrisht, edhe për faktin se hyrja ishte falas), duke përkrahur ekipin deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit suedez. Nga ana tjetër, trajneri De Biazi nuk mund t’ia lejonte vetes një tjetër humbje, ndaj merr masat që në start: jashtë Ujkani, Dallku, Gilman Lika e Meha, në fushë Etrit Berisha, Vila, Agolli dhe Roshi. Praktikisht takimi nis dhe luhet vetëm me një portë. Kuqezinjtë, të instruktuar nga italiani i stolit tonë, vihen në dominim të mesfushës dhe nuk lënë rast pa parë nga Çani e Sadiku, që të dy mjaft të lëvizshëm, për më tepër në një mbrojtje si ajo e sllovenëve, që pa të pezulluarin Boshtjan Sezar, “fut ujë” nga të katra anët. Sadiku dy herë, Bulku dhe Çani provojnë instinktet e portierit të Interit, Samir Handanoviç, por ky i fundit tregon se jo më kot luan te zikaltrit e Masimo Moratit. Gjithsesi, manovra jonë sulmuese është më konkrete sesa në përballjen me islandezët, teksa edhe në prapavijë duket qartë se kemi më shumë siguri, ku Mavraj dhe Cana “mbysin” dyshen e sulmit Dediç-Matavz. Ky i fundit gjuan për herë të parë në minutën e 35-të një top tokasi që neutralizohet lehtë nga Berisha. Është pikërisht pasimi i topit nga ky i fundit me shpejtësi në drejtim të mesfushës që prodhon edhe golin kuqezi: Vila shmanget bukur në hyrje të zonës sllovene, kroson dhe në shtyllë të dytë Roshi i merr kohën mbrojtësit të qendrës, duke shtangur Handanoviçin. Shqipëria në avantazh dhe mesfushori kuqezi në ekstazë, aq sa nuk do t’ia dijë për kartonin e verdhë që merr pas heqjes së fanellës duke festuar. Pjesa e parë mbaron me një aksion të miqve, por që s’krijon problem për Berishën. Në fraksionin e dytë të lojës, De Biazi bën një tjetër lëvizje: jashtë Sadiku dhe në fushë Salihi. Italiani kërkon me çdo kusht që ta fitojë këtë ndeshje, ndaj i beson më shumë eksperiencës, sesa forcës së 21-vjeçarit. Dhe ka të drejtë, pasi shkodrani lëviz shumë në zonën sllovene, duke krijuar hapësira të nevojshme për Vilan, Çanin dhe Roshin. Këta të fundit provojnë secili që të vulosin këtë trepikësh, por ca për mungesë të fatit dhe ca më tepër për meritë të Handanoviçit, nuk arrijnë të dyfishojnë. Tekniku slloven bën lëvizjet e tij duke forcuar mesfushën, aty ku skuadra e tij vuan më shumë, ndërsa de Biazi kërkon më shumë përqendrim në veprimet mbrojtëse. Pikërisht në këto momente ai vë në pah më së shumti tipologjinë italiane: shëno dhe më pas mbrohu me forca të shumta. Në fund, një trepikësh i vuajtur, por i kërkuar dhe denjësisht i merituar përballë një kundërshtari, i cili na ishte bërë makth dy dekadat e fundit.
Cana: fituam falë tifozëve
Kapiteni i Kombëtares ai ka dedikuar këtë fitore tifozëve kuqezinj. “Nuk ishte e lehtë pas disfatës me Islandën sepse e meritonim fitoren në atë ndeshje. Kur kundërshtari u bë i rrezikshëm, mbizotëruam prej tifozëve. Në pjesën e parë dominuam, ndërsa në të dytën ditëm se si ta administronim lojën dhe rezultatin. Dua që njerëzit të na mbështesin, sepse jemi ballkanas dhe pas një humbje ulim kokën. E kuptoj që thonë çdo edicion njësoj, por duhet më pas më shumë gjakftohtësi”.
Andi Lila
“U kënaqa pa masë. Kjo ishte ajo që doja. Ishim si 11 bisha të tërbuara në fushë, që kërkonim medoemos të mbijetonim”. Kështu është shprehur pas ndeshjes mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila, i cili bëri një paraqitje të shkëlqyer në krahun e djathtë. “Kisha besim te skuadra dhe e kisha thënë edhe përpara ndeshjes. Shqipëria është e fortë dhe sot (dje) ia dolëm të fitonim me meritë ndaj një kundërshtari të vështirë si Sllovenia. Edhe pse e kemi ende peng humbjen me Islandën, duhet të shikojmë përpara”.
LEONARD KARAJ