E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi ndryshon gjithçka, Hyka e Osmani s'thirren më

TIRANE - Fitorja 1-0 me Slloveninë është përjetuar si diçka normale nga trajneri i kombëtares Xhani De Biazi, i cili që nga dita e djeshme ka nisur të mendojë për atë që do të jetë skuadra e tij "përfundimtare". Trajneri italian e ka thënë shpesh se ndeshjet e para do të jenë një test për të gjithë, për të treguar nëse ia vlejnë të jenë në ekipin kuqezi apo jo. Ky moment duket se ka ardhur dhe tekniku tashmë ka vendosur të marrë vendimet e para, sado të "dhimbshme" që të jenë ato. Kështu, burime të sigurta pranë trajnerit të përfaqësueses bëjnë të ditur se emra si Hyka apo Osmani nuk do të jenë më pjesë e përfaqësueses. Në fakt, Jahmir Hyka është kthyer në një çështje më vete për De Biazin. Fantazisti mbetet një nga lojtarët më të talentuar të kombëtares, por tekniku italian duket se vlerëson edhe parametra të tjera. Në dy ndeshjet e fundit Hyka nuk luajti asnjë minutë, një shenjë e qartë se De Biazi nuk beson më tek ai. E në fakt, trajneri ka vendosur që të mos e thërrasë më, duke u shprehur haptazi se "nuk e llogaris më në skuadër". Të paktën për momentin, e ardhmja e një prej lojtarëve më teknikë të Shqipërisë, duket e pasigurt në ekipin kombëtar. "Nuk kam ndërmend ta thërras më, as atë dhe as Osmanin. Nuk më kanë bindur, prisja më shumë prej tyre. Kam mbetur shumë i zhgënjyer sidomos prej Hykës, të cilin kur e kam parë për herë të parë, më ka mahnitur", ka thënë De Biazi në lidhje me këta dy lojtarë. 

Ndërkohë, sa i përket skuadrës së të ardhmes, ndryshimet në emra do të vazhdojnë, pasi trajneri i kombëtares ende nuk duket se e njeh 100 % përfaqësuesen shqiptare. Ndaj Sllovenisë, ai ka bëri një ndryshim thelbësor, duke larguar nga porta Ujkanin e duke i besuar vendin e titullarit Etrit Berishës. Një bast, të cilin trajneri e fitoi 100 %, pasi portieri i ri tregoi një siguri të admirueshme, duke bërë që edhe skuadra të evitojë momentet e panikut ndaj një kundërshtari aspak të thjeshtë. Pritet që Berisha të jetë numri "1" edhe në takimet e ardhshme, duke parë gafat e vazhdueshme të Ujkanit midis shtyllave, sidomos në ndeshjet me Qipron e Islandën. Një bast i fituar duket edhe vendosja e Andi Lilës në të djathtë, pasi ish-anësori i Tiranës është një "traktor" më vete në rolin e tij natyral, gjë që u pa qartë edhe ndaj Sllovenisë. Kjo do të thotë se koha kur Armend Dallku ishte i paprekshëm, ka perënduar. Ndërsa duket e vështirë që Ansi Agolli të lihet sërish në stol, pasi anësori i majtë ofron siguri dhe veç të tjerash, është nga të vetmit që di të krosojë. Një tjetër lëvizje pritet të jetë edhe zhvendosja e Canës në mesfushë, duke qenë se Mavraj duket i paprekshëm në qendër, ndërsa Curri do të ishte një alternativë e mirë si partner i mbrojtësit të Grojther Fyrth. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›