E Diel, 1 Nëntor 2026

"Virusi FIFA", Murinjo mbetet me gjysmë ekipi

MADRID - Një mbrojtje që ka nevojë për rikompozim dhe një sulm që duket se ka "shpëtuar". Një ditë pas pushimeve për ndeshjet e kombëtareve, Realit të Madridit i duhet të bëjë llogaritë me atë që quhet "Virusi FIFA": dëmtimet e lojtarëve që janë impenjuar me kombëtaret e tyre. Për ndeshjen e së shtunës ndaj Selta Vigos, trajnerit Zhoze Murinjo i duhet të sajojë anësorët, pasi Marselo ka thyer kyçin e këmbës së djathtë dhe do të qëndrojë jashtë tre muaj, ndërsa Arbeloa pësoi një tërheqje ndaj Francës dhe nuk do të luajë për 2-3 javë. Ndërkohë, Koentrao la ndeshjen në mes ndaj Rusisë dhe i duhet të qëndrojë pa luajtur për një muaj për shkak të një problemi në gju. Pra, tre anësorët e Murinjos janë të gjithë jashtë loje. 

Zëvendësuesit janë Serxhio Ramos, Esien dhe anësori i majtë Kastija Kasado. "Murinjo e ka numrin tim të telefonit dhe nëse ka nevojë, e di se ku jam", tha Kasado. Gjatë ndeshjeve të ekipeve kombëtare janë dëmtuar edhe futbollistë të tjerë të Realit të Madridit, por që duket se kanë pasoja më të lehta. Benzema doli duke çaluar nga "Vicente Kalderon", por në zonën miks i qetësoi të gjithë: "S'kam asgjë serioze". E njëjta gjë edhe për Higuain, që mori një goditje kundër Kilit. "Bëhet fjalë vetëm për një goditje, asgjë më shumë", tha ai. Për t'u verifikuar edhe kondicioni i Sami Kedirës, që të martën humbi në mënyrë rokamboleske sfidën mes Gjermanisë e Suedisë, për probleme muskulare. Ndërkohë, Reali pritet të përfitojë një dëmshpërblim nga FIFA, që paguan 20.548 euro në ditë për çdo lojtar që dëmtohet me kombëtaren.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›