E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roshi në Bundesligë, firmospër gjermanët e Këlnit

GJERMANI- Odise Roshi është bërë zyrtarisht një futbollist i Këlnit ditën e sotme, duke firmosur një kontratë tre vjeçare me këtë klub. Futbollisti fierak ka lënë Flamurtarin për të kaluar në një nga kampionatet më elitarë të Evropës, atë gjerman. Një transferim i bujshëm i 19 vjeçarit, i cili shihet si një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar. Lajmi është zyrtarizuar ditën e sotme nga klubi i Bundesligës në faqen zyrtare në internet, ku shprehet edhe gëzimi për këtë blerje. Këlni nuk ka bërë të ditur detajet e kalimit, por mësohet se ai ka nënshkruar një kontratë tre vjeçare me këtë klub. Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit gjerman Volker Finke është shprehur me superlativa për lojtarin e Shpresës së Shqipërisë. “Jemi shumë të gëzuar që kemi bërë të mundur transferimin e Odise Roshit, - deklaroi Finke. – Ai është një talent i madh dhe një futbollist me shumë perspektivë përsa i përket fazës sulmuese. Roshi ka gjithë besimin tonë, ndërsa ne mendojmë se ai i ka treguar aftësitë e tij tashmë, duke luajtur në kombëtaren U21 të Shqipërisë dhe në Kategorinë Superiore të këtij vendi, ku është shpallur nënkampion me Flamurtarin”, deklaroi më tej drejtori sportiv i klubit gjerman. Drejtuesit e Këlnit kanë qenë në mëdyshje nëse të merrnin mesfushorin sulmues të Flamurtarit apo të mbanin polakun Slavomir Peszko. Tashmë që u mor lojtari shqiptar, Peszko ka pak mundësi të qëndrojë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›