E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verdiktet e sezonit: Vllaznia, dyfish kampione!

Shkumbini dhe Lushnja U-17, Partizani dhe Pogradeci U-19 bien nga kategoria

Kur ka mbetur vetëm një javë për t’u luajtur në kampionatin e moshave U-17 dhe U-19, superiore, nuk ka mbetur asnjë enigmë për t’u zbuluar. Sipas rregullores, skuadrat që renditen të parat për çdo grup-moshë shpallen kampione, ndërsa dy të fundit bien nga kategoria.

Më konkretisht, për kampionatin U-17, Vllaznia është shpallur matematikisht kampione, ndërsa Shkumbini dhe Lushnja, në bazë të renditjes aktuale duhet të luajnë sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë. Sa i përket kampionatit U-19 (superiore), Vllaznia thuajse e ka siguruar titullin kampion, pasi ka mundur në ndeshjen direkte Tiranën.

Por për t’u shpallur kampione matematikisht, Vllaznia duhet të marrë të paktën 1 pikë në ndeshjen e fundit me Laçin në Shkodër, duke supozuar që Dinamo merr pikët e plota. Sa i përket fundtabelës, Partizani prej javësh e ka prerë biletën drejt të parës (duke imituar Partizanin e madh), sikurse dhe Pogradeci.

Shkumbini ruan “traditën”, fiton Teuta

Shkumbini – Teuta 1-3

Shkumbini: Hyka, Dudia, Lici, Kasemi, Bashvogli, Harecari, Branica, Çela, Dervishi, Damarku, Hyra. Trajner: A.Gjata
Teuta: Qypi, Tema, Marku, Bejko, Abazaj, Peqini, Balani, Tepshi, Ramidhi, Beqja, Sina. Trajner: L.Sejdini
Shënues: Branica 25′, Peqini 54′, Balani 65′, Tema 69′
Gjyqtarë: E.Hasanaj, O.Grabova, H.Troka (Fier)

Shkumbini U-17 ka pësuar humbjen e radhës në Peqin, duke siguruar përfundimisht vendin e fundit të tabelës. Përballë ekipit të Teutës Shkumbini rezistoi vetëm në 40 minutat e para, që i mbylli në avantazh me golin e Branicës, sepse në pjesën e dytë ishte ekipi mik që diktoi në fushë, duke e përmbysur rezultatin.

Ndryshe nga loja që zhvilloi në pjesën e parë, në të dytën ekipi i drejtuar nga A.Gjata ishte i pafuqishëm dhe tregoi shenja lodhjeje. Ishte goli i barazimit i Teutës, i shënuar nga Peqini pas një gjuajtje nga distanca, që ndryshoi rrjedhën e lojës për Teutën.

Pas barazimit, shumë shpejt durrsakët shënojnë golin e avantazhit me Balanin nga i njëjti pozicion, për t’u vulosur fitorja 4 minuta më vonë me golin e Temës. Me gjithë përpjekjet e bëra më pas nga Shkumbini, rezultati nuk ndryshoi. Teuta largohet nga Peqini me 3 pikë të merituara.

Em.Lundraxhiu i jep fitoren Shkumbinit

Shkumbini – Teuta 1-0

Shkumbini: Demrozi, Karaj, Asllani, Vogli, A.Lundraxhiu, Morina, Hyka, Magani, Er.Lundraxhiu, Kasa, Em.Lundraxhiu. Trajner: Xh.Lundraxhiu
Teuta: Rexhepaj, Premçi, Kastrati, Rigo, Dalipi, Çollaku, Dinaku, Troplini, Qesja, Hasani, Jazexhiu. Trajner: M.Xhai
Shënues: Em.Lundraxhiu
Gjyqtarë: O.Grabova, E.Hasanaj, H.Troka (Fier)

Ekipi i Shkumbinit, nën drejtimin e trajnerit Xh.Lundraxhiu ka arritur një fitore të merituar përballë Teutës së Durrësit, duke zhvilluar ndoshta një nga takimet më të mira në Peqin. Goli i Emiljano Lundraxhiut në pjesën e dytë (ka arritur të dalë fitues përballë dy mbrojtësve të Teutës, për të shmangur më pas edhe portierin Rexhepaj) ka fiksuar rezultatin 1-0 që nuk ndryshoi deri në fund.

Loja nisi më mirë për Teutën, që ishte pranë golit në minutën e 7-të, kur Hasani përfiton nga dalja e portierit, duke gjuajtur me kokë, por Vogli në vijën e portës largon topin. Më pas loja e vendasve bëhet më e rrezikshme dhe në fillim A.Lundraxhiu (dy herë) dhe më pas Magani shpërdorojnë raste të pastra, duke gabuar përballë portierit të Teutës.

Shkumbini gjatë 90 minutave ishte më ngulmues dhe rezultati duhej të ishte më i thellë, por nuk diti të përfitonte nga gabimet e mbrojtësve të Teutës.

Për U-17 në superiore do të ngjiten Tërbuni dhe Ada, ndërsa për U-19 gara është e hapur

Vlora apo Besëlidhja, vetëm njëra në superiore
Moszhvillimi i shumë ndeshjeve në kategorinë e parë ka shkaktuar kaos në renditjen e kësaj kategorie në të dyja grup-moshat. Gjithsesi, sipas renditjes provizore zyrtare, për 17-vjeçarët Tërbuni dhe Ada e kanë siguruar pjesëmarrjen sezonin e ardhshëm në superiore, ndërsa për U-19 pretendojnë të ngjiten tri skuadra.

Përveç Skënderbeut, që është shumë pranë titullit (sipas renditjes së FSHF Skënderbeu ka 62 pikë, ndërsa vetë korçarët pretendojnë se janë në kuotën e 65 pikëve), Vlora dhe Besëlidhja janë në kuotë të barabartë pikësh, nga 59 pikë. Besëlidhja pret Turbinën, ndërsa Vlora luan me Bylisin.

Në ndeshjet pikët dhe golaverazhi është i njëjtë, por në të përgjithshmin Vlora është e favorizuar. Madje vlonjatët pretendojnë se me një fitore të thellë ndaj Bylisit mund të shpallen kampionë, pasi përveç golaverazhit të përgjithshëm më të dobët se i korçarëve, gjithçka është e barabartë (Skënderbeu e ka pushim javën e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›