E Diel, 1 Nëntor 2026

Rosi shpallet kampion bote në Moto GP

Valentino Rosi i ka shtuar një tjetër titull botëror në Moto Grand Pri karrierës së tij të suksesshme, pas vendit të tretë të marrë në Malajzi. Piloti italian i Jamahas nuk e ka patur të vështirë të administrojë 38 pikët avantazh që kishte nga shoku i tij i skuadrës Horge Lorenco. Ai arrin kështu titullin e dytë radhazi dhe të nëntin në karrierë, duke u konfirmuar si një nga pilotët më të mirë të të gjitha kohërave. Në Sepang, gara është fituar nga Kejsi Stoner me Dukatin, që ka lënë pas Daniel Pedrozën me Hondën. Rosi ishte gjithnjë nën kontroll të situatës pavarësisht gabimit në kthesën e parë dhe në fund mundi të lërë pas Lorencon, i cili u rendit vetëm i katërti. “Para garës nisi shiu dhe na u desh më shumë punë në pistë, Për gjithë sezonin kam patur rivalë të mëdhenj, veçanërisht Horgen, ndërsa tani jam kampion. Është titulli i nëntë për mua, i shtati në Moto Grand Pri, pra një arritje vërtetë e madhe”, deklaroi Valentino Rosi në fund. Pas kësaj gare Valentino Rosi ka 286 pikë në renditje, kundrejt 245 të Horge Lorencos dhe 220 të Kejsi Stoner. Gara e fundit e sezonit është ajo që do të zhvillohet në Valencia muajin e ardhshëm. Pavarësisht triumfit të Rosit, Lorenco është konsideruar nga të gjithë si zbulimi i sezonit dhe ndoshta një kampion i ardhshëm i këtij sporti.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›