E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rossi: Mos e shisni Behramin

Trajneri i Fiorentinës, Delio Rossi kërkon nga udhëheqësit e klubit që të mos e shesin yllin e ri të këtij klubi, Valon Behrami. Së fundmi, interesim për mesfushorin kosovar ka shfaqur Juventusi, i cili e do në ekip në pjesën e dytë të këtij sezoni.

Mirëpo, trajneri italian e konsideron të rëndësishëm përfaqësuesin zviceran, i cili i ka rrëmbyer zemrat e tifozëve Viola, që kur u transferua në Firenze tash një vit nga West Ham Unitedi.

“Mendoj se klubi ka nevojë të bëjë hapa, në mënyrë që skuadra të përmirësohet dhe jo ta shesë njërin nga lojtarët më pozitivë dhe më të rëndësishëm të ekipit. Na nevojiten lojtarë të cilët i përshtaten projektit, të cilin jam duke u munduar ta ndërtoj në klub”, theksoi ish trajneri i Lazios dhe Palermos.

Mediat italiane së fundmi shkruanin se trajneri i Bianconerëve, Antonio Conte e pëlqen shumë ish futbollistin e Veronës, Lazios dhe West Hamit. Deri tash, Fiorentina, por edhe vetë futbollisti, i kanë rezistuar interesimit të ‘Zonjës së Vjetër’. Mirëpo, afati kalimtar dimëror do të zgjasë edhe një javë, kur pritet të dihet përfundimisht nëse Behrami do të qëndrojë në ‘Artemio Franchi’ apo jo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›