Tifozët rus, ‘gratis’ në Euro 2012

Pas takimit me grupet e tifozëve, anëtarët e të cilëve janë ankuar se çmimet e udhëtimeve për në shtetet nikoqire të Euro 2012 janë të shtrenjta, Putin ka kërkuar nga dy avio-kompanitë kryesore Aeroflot dhe Transaero të organizojnë udhëtime falas për ndeshjet e Kombëtares ruse në Euro 2012.
“Jemi të gatshëm të aplikojmë këtë iniciativë, edhe pse është ende në fazën e negociatave. Partneri ynë Gazpromnef-Aero ka pranuar të shërbejë naftën për fluturimet drejt Kievit”, deklaroi një zëdhënës i Transaeros.
Edhe Aeroflot është shprehur pozitivisht ndaj propozimit, por ende nuk është caktuar numri i fluturimeve dhe destinacioni i tyre. Rusia në fazën e grupeve të garës luan në Poloni. Ajo gjendet në Grupin A me Poloninë, Greqinë dhe Republikën çeke.