BE: Serbia afër statusit të vendit kandidat

Nga burimet diplomatike të BE-së, mësohet se shumë Ministra të Jashtëm kanë shprehur mendimin e tyre se Serbia është shumë afër për të marrë statusin e vendit kandidat.
Shumë ministra thuhet të kenë thënë se Qeveria e Serbisë dhe presidenti Boris Tadic kanë bërë shumë për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar Komisioni Evropian dhe BE-ja për të marrë statusin e kandidatit, prandaj ata me optimizëm shohin kah fundi i muajit shkurt dhe mesi i muajit mars si data kur Serbisë, më në fund, do të mund t’i jepet statusi i vendit kandidat.
Këtë e ka thënë publikisht të hënën gjatë takimeve edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindëleger, ndërsa këtu po qëndron edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic.
Jeremic ka pasur takim bilateral me disa ministra të BE-së, përfshirë Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Guido Westerwelle, i cili përfaqëson shtetin i cili ishte kyç në mosdhënien e statusit të kandidatit Serbisë në muajin dhjetor.
Burimet e BE-së pohojnë se nuk ka pasur ndonjë diskutim të gjatë për Kosovën, mirëpo është thënë nga shumë folës se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë dialogun dhe duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash si dhe të punojnë edhe më shumë për marrëveshje të reja.
Për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ecurinë e dialogut ka folur Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për siguri.
Zyrtarët e BE-së pohojnë se inkurajojnë Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë sa më parë dialogun dhe të vazhdojnë të jenë konstruktiv në këtë dialog.
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë për Kosovën
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian e kanë filluar takimin e tyre në Bruksel, ku më vonë gjatë ditës pritet të diskutojnë për situatën në Kosovë dhe për marrëdhëniet Kosovë – Serbi.
Sipas burimeve të BE-së, kësaj radhe nuk pritet ndonjë vendim apo konkluzion në formën e dokumentit, por pritet që përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, t’i njoftojë ministrat për situatën aktuale në Kosovë.
Ndërkohë, disa ministra të Bashkimit Evropian tashmë kanë shprehur optimizmin e tyre se kësaj radhe Serbia do ta marrë statusin e vendit kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian. /rel/