Roza Anagnosti: Klitemnestra, një rol i çmuar që pasuron galerinë e personazheve të mi
Tragjedia e Sofokliut Elektrado të ngjisë në skenë ikonën e teatrit dhe filmit shqiptar
Është cilësuar si një ikonë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare, duke u bërë një nga emrat më të dashur për publikun. Aktorja e njohur Roza Anagnosti sot është një nga emrat më të vlerësuar nga publiku. Një karrierë e gjatë artistike, e mbushur me personazhe dhe karaktere nga më të ndryshmet, që aktorja i ka interpretuar ndër vite. Në vijim të karrierës së saj artistike, aktorja së fundi do të vijë në skenë para publikut me një rol në tragjedinë Elektra,
e cila do të jetë dhe premiera e parë e Teatrit Kombëtar për këtë sezon artistik. Në një intervistë dhënë për gazetën aktorja rrëfen se si e priti rolin e Klitemnestrës, për të cilin ajo ka nisur punën për ta finalizuar në skenën teatrore. Duke e cilësuar si një pasuri në karrierën e saj artistike, aktorja tregon se ky rol vjen në një natyrë tjetër nga rolet që ajo ka interpretuar deri tani. Ajo do të përballet me publikun duke veshur petkun e nënës së Elektrës, Klitemnestrës. Pjesëmarrja e aktores së njohur, ia shton vlerat dhe e bën më emocionale për publikun shqiptar tragjedinë. Subjekti i tragjedisë Elektra është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Tragjedia Elektra e shqipëruar nga Laert Vasili, është vepra e cila do të vihet në skenë në shkurt të këtij viti nga një prej regjisoreve të mirënjohur sikurse është Adonis Filipi. Elektra është ndër tragjedianet më të mëdhenj të të gjitha kohërave, ndër përfaqësuesit e shquar të panteonit antikitetit greke ka lindur në Kolonus(495-6 pes), pranë Athinës. Bashkohës i Eskilit dhe Euripidit, ka shkruar mbi 100 vepra. Elektra, shkruar nga legjendari Grek, tragjediani Sofokli është konsideruar gjerësisht si një nga tragjeditë më të mëdha greke si një nga perlat e të gjitha kohërave dhe për këtë arsye ajo vazhdon të jetë pikë referimi që tërheq vëmendjen e grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve e regjisorëve. Aktorja e njohur e filloi karrierën ne Teatrin Migjeni të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin Detyrë e posaçme (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin Toka jone (H. Hakani, 1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, në filmin Komisari i drites. Pas këtij filmi për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan në shumë filma dhe fiton disa çmimet të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek Plagë të vjetra (Dh. Anagnosti, 1969), Fije që priten (M. Fejzo, 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, Mesonjëtorja (M. Fejzo, 1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin Rruga e lirisë fitoi Medalionin e dytë. Filmat e tjerë janë Ndërgjegja 1972, Qyteti me i ri në botë 1974, Në shtëpinë tonë 1979, Dita e parë e emërimit 1981, Besa e kuqe 1982, Taulanti kërkon një motër 1984, Pranverë e hidhur 1985, Botë e padukshme 1987, Familja ime 1987, Vrasje në gjueti 1987, Rikonstruksioni 1988, Kthimi i ushtrisë së vdekur 1989, Vetmi 1990. Përveç shumë vlerësimeve e çmimeve për karrierën, Roza Anagnosti mban titullin Artiste e Merituar.-Do të vini me rolin e Klitemnestrës në skenën teatrore në shfaqjen Elektra. Si ndiheni?Është shumë telegrafike, është roli i Klitemnestrës. Është një tragjedi shumë interesante dhe e pavënë ndonjëherë në skenën teatrore. Është një përjetim, por tani është vetëm fillimi i punës për të parë anën psikologjike për tu njohur, jo sepse nuk jemi njohur, por kur merr një vepër konkrete do të hysh dhe në hollësi. Me këtë rast dhe Dimitra ka ardhur për të na e prurë më pranë për të na e shkoqitur në të gjitha aspektet këtë tragjedi. Ne tani si aktorë na takon që të materializojmë dhe është një hark i madh që do të futesh dhe do të fillohet puna konkrete, dhe kjo është interesante. Këto pjesë janë vënë dhe më parë në skena të ndryshme teatrore, por puna qëndron se çfarë do të sjellim ne si aktorë të Teatrit Kombëtare me veprën Elektra të Sofokliut. Ky është një rol i një natyre tjetër dhe shpresoj që do të jetë shumë interesant. Është një rol antagonist për mua, sepse unë zakonisht kam bërë rolin e heroinës dhe në fakt në tragjedi roli i fundit që unë kam bërë është tek tragjedia Medea. Unë kam pas rolin e mëndeshës, një tjetër natyrë, ndërsa ky është një rol i cili është më kompleks që të jep mundësira, por dhe më i vështirë dhe kjo mua më ka nxitur dhe më ka intriguar dhe më shumë për këtë rol. Gjithmonë këto janë prova për të vënë në skenë një tragjedi greke, sepse vetë fakti që në shekullin e katër para erës sonë janë shkruar dhe kanë ardhur deri këtu tregon për vlerat e tyre të gjithëkohshme. Dhe tani ne do të shohim se ku jemi në kuptimin, që disa gjëra dhe më duket sikur nuk kanë ndryshuar po ti marrësh dhe ti futesh thellësisht. Tani ne si të thuash po punojmë tokën thellë dhe të fillojmë të ndërtojmë karakterin. Shpresoj që të japim një spektakël për publikun, që të kemi një komunikim shumë të mirë me spektatorin.-Jeni një prej emrave që keni një karrierë të gjatë artistike, e cila është e mbushur me role dhe karaktere nga më të ndryshmet. Ndërkohë çfarë i shton galerisë suaj të personazheve roli i Klitemnestrës?Çdo aktor të teatrit, një pjesë klasike greke, tragjedi, është natyrisht një pasuri në repertorin artistik të një aktori.-Për herë të parë ju do të bashkëpunoni me regjisorin Adonis Filipi në veprën Elektra. Çfarë mund të an thoni për këtë bashkëpunim?Është bashkëpunimi im i parë me këtë regjisor, i cili më ka parë si të thuash në një dritare tjetër dhe ne kemi komunikuar sëbashku shumë mirë dhe shpresoj që të gjejmë çelësin e duhur për të dhënë një Klitemnestrë të veçantë. E them këtë pasi këto pjesë janë vënë dhe në skena të tjera teatrore, por puna qëndron se si ne si aktorë të Teatrit Kombëtar do ta materializojmë dhe se çfarë do të sjellim ne në tërësi, por dhe si artistë në veçanti. Trupa artiske që merr pjesë në këtë vepër është shumë interesante dhe kjo është një anë tjetër, nëse në anën e interpretimit ka disa specifika të veçanta arti i antikitetit grek. Tani është vetëm fillimi, por gjatë këtij procesi ne do ta thellojmë dhe më shumë punën. Ne tani po eksplorojmë këtë vepër, po e shikojmë nga afër dhe më pas fillon puna e gjatë që do të jetë detaj pas detaji deri sa formohet e gjitha. Është një hark i madh që do të futesh, por nuk është kollaj që të futesh në atë hark. Fakti që unë jam këtu, kjo tregon se mua më ka pëlqyer ky rol dhe këtu unë kam dhe kolegë që kam punuar me to për vite, kam kolegë që kam punuar pak, por kam dhe kolegë të rinj. Kjo është një gjë shumë pozitive në teatër, pasi ai ka një specifikë të veçantë dhe shumë të bukur. Ky është një ripërjetim për mua, pasi unë kam qenë dhe kam vazhduar në një mënyrë ose në një formë tjetër të jem në teatër. Shfaqja e fundit ka qenë Medea që e kam bërë me Akademinë e Arteve, më pas për të vijuar me shfaqjen Nata e trokitjeve në xhama.-Roza Anagonsti mes filmit dhe teatër, kush ju ka falur më shumë emocione gjatë këtyre viteve në karrierën tuaj si aktore?Secili prej tyre ka emocionet e bukura të vetat. Ka tjetër specifikë teatri dhe tjetër specifikë ka filmi. Kështu që nuk mund të bëj një ndarje, secila prej tyre plotëson njëra-tjetrën dhe arrijnë të të pasurojnë ty si artist.-Gjatë karrierës suaj artistike kë do të veçoni nga rolet që ju keni interpretuar?Është një karrierë e gjatë në shumë vite dhe nuk mund të veçoj prej tyre. Por tani unë po përqendrohem vetëm tek Klitemnestra. Nuk mund të them se cili rol më është dukur më i vështirë, pasi çdo rol ka ato vështirësitë dhe bukuritë e tij. Bukuria e një roli është dhe kur ti kërkon dhe gjithmonë gjen gjëra të reja, karaktere të ndryshme për artistin për tu plotësuar, për të thënë që është një artist që duhet të bëjë shumë profile, shumë dimensione. Intervistoi: Julia Vrapi