Tatimet fillojnë aksionin për mbledhjen e borxheve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rinovuar listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve administrata tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit numër 9920, datë 19.05.2008 Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjitha pasuritë, për ekzekutimin e detyrimeve, ndërkohë që ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin
dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Kjo listë, gjithashtu, publikohet që të bëjë të mundur informimin e të gjitha palëve që kanë interesa me këta tatimpagues. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga lista e zezë, sigurojnë Tatimet.