Rozalba e MASH dhe Brisa e vogël e Kallabakës në Greqi
Roza është titullare e lartë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë.
Tash 14-15 muaj i është dhënë të mbulojë mësimin e gjuhës shqipe në… diasporë.
Brisa është nxënëse në shkollën greke të Kallabakës në Greqi, e shkëlqyer në mësime.
Është në të njëjtën kohë edhe nxënëse e kursit për mësimin plotësues të gjuhës shqipe hapur me nismën e komunitetit shqiptar atje.
Për kursin, ndjekësit e kujdesshëm të emisionit të njohur Fiks Fare mbase mbajnë mend udhëtimin e Sajmirit, i ngarkuar me abetare dhe me kompletin televiziv Luajmë shkollash.
Të tjerat, ato që lidhen me mësuesen e palodhur Merita Ymeri, janë përcjellë në një libër dhe në disa shkrime në shtypin shqip në Greqi dhe në internet.
Gjithçka vullnetare, gjithçka pa pagesë për mësuesen që për mbijetesë bën punë të zakonshme si të gjitha gratë emigrante. Një punë që krahasohet me bëmat e rilindësve të mëdhenj të shekullit XIX, mësues të cilët Dritëro Agolli i ka quajtur rilindësit e kohës sonë, punë e cila deri tash është përmbledhur në dy libra: Rilindësit e kohës sonë dhe Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2 e në vijim me vëllimin e tretë: Shkolla shqiptare e Selanikut-Mësuesit, këta rilindës çudi.
Bisedën me Brisën, titulluar Brisa Ymeri në çudinë time shqip për shqipen, e kisha lënë për librin tim të tretë për mësuesit e palodhur shqiptarë në Greqi, për këta Rilindës Çudi.
Një ngjarje në Ulqin, në seminarin e 9-të për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, seminar tashmë i përvitshëm organizuar nga MASHT e Kosovës dhe MASH e Shqipërisë, ma solli jo thjesht në kujtesë, por si një ballafaqim me atë që titullarja e lartë e MASH përcolli me plot gojë para më se njëqind mësuesve të gjuhës shqipe në mbarë kontinentin Evropian.
Pyetjes nga salla: Çfarë bëhet me fëmijët shqiptarë që si pasojë e krizës kthehen në Shqipëri nga Greqia dhe nuk dinë të shkruajnë e lexojnë dhe mezi flasin shqip?, ajo iu përgjigj:
Fëmija im, kur u ktheva në Shqipëri, nuk dinte asnjë fjalë shqip…
Ndjeva që salla mbajti për një çast frymën duk vështruar ngultas zonjën në presidium.
Duke mos u besuar veshëve, pyeta në pushim mësues nga mbarë hapësira ku nxënësit mësonin të shkruanin e lexonin shqip, mësues nga Suedia, Gjermania, Anglia, Zvicra, Austria, Greqia, Italia…
Të gjithë e kishin përjetuar deklaratën e titullares së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës e ngarkuar për të ndjekur kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në emigracion me habi. Një deklaratë e tillë nuk i shkonte ta thotë në një kafene një mërgimtar që i bie bretku në ndërtim dhe fëmijën e le në gjumë dhe e gjen në gjumë.
Një intelektuale, me arsim të lartë e diploma në mësuesi, me detyrë shtetërore në një vend perëndimor, nuk i paska folur fëmijës së vet në shtëpi në gjuhën e gjysh stërgjyshit të vet, nuk i paska marrë një abetare ti mësojë si të shkruajë të tridhjetë e gjashtë germat e alfabetit, nuk e paska vënë përballë ekranit satelitor të shohë si flet Çufo-ja dhe Bang-bang-u duke u përcjellë përralla shqip fëmijëve në të gjithë kontinentet, nuk…
Ndërkohë më erdhi në kujtesë Brisa 12 vjeç nga Kallabaka, Brisa që në shtëpi i kanë folur dhe ka folur shqip, Brisa me të cilën më 1 janar 2013 kisha komunikuar në Facebook kaq lirshëm dhe kaq saktë sa do ta kishte zili edhe një student i sapodiplomuar për gjuhë e letërsi në Universitetin e Tiranës.
Në respekt të Brisës dhe të gjithë bashkëmoshatarëve të saj që ndjekin mësimet në Shkollat e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi po e përcjell për lexuesin e këtyre radhëve bisedën e 1 janarit 2013, ashtu si e kam botuar në shtyp dhe ashtu si do ta fus si pjesë e librit për mësuesit shqiptarë në Greqi që pa asnjë shpërblim, në kushtet e kërcënimeve nga Krisi Avgji dhe segmente të tjerë ekstremistë, po bëjnë që shqipja të mbijetojë…
BRISA YMERI NË ÇUDINË TIME SHQIP PËR SHQIPEN
Një bisedë që më befasoi dhe më mbushi me gaz e hare…
Po komunikoja në Facebook me Merita Ymerin, mësuesen e mirënjohur të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kallabaka. Më nderon herë pas here me mesazhet plot respekt që më përcjell, veçanërisht me të falat që më dërgon tia përcjell Natashës, shoqes time të jetës, me të cilën është njohur në një nga seminaret për mësimin plotësues të Gjuhës shqipe në Mitrovicë. Kështu ndodhi edhe atë mbrëmje në prag të festave të fundvitit 2012. Kjo deri në çastin kur në komunikim hyri vajza e saj, Brisa Ymeri, 12 vjeçe, nxënëse e klasës së parë gjimnaz në Kallabaka, përndryshe nxënëse e Merita Ymerit në shkollën shqipe të mësimit plotësues të Kallabakës.
Komunikova me Brisën, siç nuk kam komunikuar me universitarë, me njerëz që kanë mbaruar fakultetin e gjuhësisë. Nuk desha ta besoj (edhe sot më duket me të vërtetë një çudi) që vajza e mësuese Merita Ymerit, Brisa, shkruante shqip, me shpejtësi e përgjegjësi, aq bukur dhe aq saktë sa më befasoi.
Po e përcjell bisedën në Facebook me Brisën vetëm me një redaktim, me futjen në fjalët e saj të dy germave që i harrojnë sot edhe gjuhëtarë profesionistë, të germës ë dhe ç në vendin e duhur…
Për të tjerat lexoni bisedën dhe do të bindeni.
Unë, autori i disa librave dhe i dhjetëra shkrimeve për Gjuhën Shqipe në emigrim, u ndjeva krenarë që Brisa jo vetëm e flet por edhe e shkruan gjuhën shqipe saktë por edhe gjen fjalën e duhur për jetën në vendlindjen e prindërve të saj, në Elbasan…
***
Brisa Ymeri: Xhaxhi Abdurahim, jam vajza e Meritës. Mami po merret pak me çunin. Do ta thërras tani? Ne jemi të gjithë mirë. Po ju si jeni?
Unë: Oh sa bukur! Gëzohem që e shkruan kaq bukur gjuhën shqipe. Ke nënë të mirë, ke edhe mësuese të shkëlqyer.
Brisa: Faleminderit shumë xhaxhi Abdurahim! Në fakt, po, është merita e prindërve të mi, por sidomos e mamasë time, që e di kaq mirë gjuhën shqipe!!!
Unë: Gëzohem që folëm!
Brisa: Po thërras mamin që të vijë.
Unë: Më dërgo një fotografi tënden dhe më trego se si e mëson gjuhën shqipe, çfarë ke mësuar nga historia e Shqipërisë, nga vendet e bukura ku lindi dhe u rrit mami dhe babi, çfarë këngësh këndon, çfarë vjershash recitove për 100 vjetorin…
Brisa: Patjetër xhaxhi Abdurahim. Në festën e 100- Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë unë këndova këngën e Vaçe Zelës Rrjedh në kën
