Shoqata e pronarëve, kundër procedurave të Priftit për privatizimet
Pronarët kundërshtojnë procedurat e Ministrisë së Ekonomisë për privatizimin e aseteve shtetërore. Ligji u ka mohuar të drejtën e parablerjes pronarëve, fakt i cili kundërshtohet nga këta të fundit. Përfaqësues të shoqatës
Pronësi me Drejtësisë pohojnë se "ajo që tha ministri dhe që më tërhoqi vëmendjen është që pronarët kanë të drejtën e parablerjes. Unë dua ti them ministrit që ndoshta nuk është informuar mirë, sepse nuk është e vërtetë kjo. Të drejtën e parablerjes pronarët e kanë vetëm për objektet e ish ndërmarrjeve, që nuk janë transformuar në shoqëri. Ndërsa në shoqëri ka një skemë komplet tjetër të privatizimit ku pronarët nuk kanë të drejtën e parablerjes dhe e drejta e parablerjes nuk ekziston", thotë Myrshit Vorpsi, sekretar i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi".
Pretendimet
Privatizimi i aseteve publike duket se nuk do të kënaqë pronarët, të cilët prej vitesh presin ose të kompensohen ose të përfitojnë ndonjë pronë fizikisht. Megjithë deklarimet zyrtare se pronarët do të jenë pjesë e privatizimeve që do të bëjë qeveria, sërish këta të fundit janë të pakënaqur. Ata kundërshtojnë qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe deklarojnë se e drejta e parablerjes në shumë raste të privatizimit nuk ekziston. Sipas tyre në privatizimet e shoqërive aksionarë zotëruesit e trojeve jo vetëm që nuk kanë përfituar por përkundrazi po dëmtohen. Duke iu referuar listës me rreth 2000 objekte të shpallura për privatizim, ku pronarët kanë të drejtën e parablerjes, përsëri ka qëndrim kundërshtues dhe ata shprehin rezerva. "E drejta e parablerjes është vetëm për një listë, që është akoma aty në ministri, ka dhjetë vjet që është po ajo listë dhe që nuk ndryshon asnjë gjë, sepse janë objekte që nuk i duhen kërkujt", vijon Vorpsi.
Privatizimet
Qeveria ka nxjerr në shitje çdo pronë shtetërore përveç digave, spitaleve dhe shkollave. Deklarata është në fakt vijimi i një nisme të prezantuar kohë më parë nga Kryeministri Sali Berisha në mbledhje qeverie, i cili tha se do të privatizohet gjithçka me përjashtim të digave të HEC-eve, shkollave dhe spitaleve. Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, deklaroi sot se METE, ka ngritur tashmë grupin e punës nën drejtimin e kryeministrit, për realizimin e privatizimeve. Mësohet se është ngritur një grup i posaçëm pune në drejtimin e kryeministrit për të mbledhur informacione që dorëzohen në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Sipas burimeve nga ministria mësohet se të gjitha asetet, ndërmarrjet, që duhet të hyjnë në proces privatizimi, fillimisht do të evidentohen dhe më pas do të vazhdohet me procedurat e vlerësimit për privatizimin e tyre. Kjo nismë vlerësohet nga ekspertët rriskuese ndërsa efektet e saj pritet të jenë rritja e të ardhurave në arkën e shtetit në një kohë kur buheti ka probleme në këtë drejtim. Janë gjithsej pikërisht 325 institucione të ndryshme të cilat do të privatizohen. Njoftimin për privatizimin e këtyre objekteve e dha pak kohë më parë vetë ministri i ekonomisë tregtisë dhe energjitikës në Dritan Prifti në një konferencë për shtyp ku u njoftua gjithashtu se përparësi do të kenë ish-pronarët e tokave të cilat kanë të drejtën e parablerjes së objektit që privatizohet, por njëkohësisht ata kanë të drejtë dhe mundësi që 80 për qind të vlerës së objektit ta paguajnë me letra me vlerë ose bono privatizimi. Procesi i vlerësimit të pronave do të bëhet nga Ministria e Ekonomisë, ndërkohë ankandet e shitjeve do të realizohen nga Ministria e Financave. Këto institucione ndodhen nën varësinë e disa ministrive dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë në funksion.
Procedura e privatizimit Të gjithë investitorët e huaj apo edhe ata shqiptarë, që do të futen në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve shtetërore, do të mund të marrin informacion nëpërmjet internetit. Duke pasur parasysh se viti 2010 do të jetë viti i privatizimeve, është ngritur një grup pune, i cili po bën rivlerësimin e të gjitha aseteve që parashikohet të hyjnë në këtë proces. Krahas kësaj pune, është vendosur edhe procedura se si do të njihen investitorët me kompanitë dhe objektet që do të futen në privatizim. Sipas procedurës, të gjitha materialet për këto kompani do të hidhen në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, ku do të jenë të hapura për publikun. Për objektet shtetërore, përveç të dhënave bazë, që kanë të bëjnë me vendndodhjen, çmimin apo sipërfaqen, do të ketë edhe disa fotografi, që do të mund t'u krijojnë personave të interesuar idenë e qartë për këtë ndërtim, si dhe vlerën e tij.
Ornela Manjani