E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim dy shqiptarë, përdornin një moldave për të vjedhur makina



ITALI – Vidhnin makina luksoze në bashkëpunim me një moldave, shpallen në kërkim dy shqiptarët. Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptarët janë shpallur në kërkim nga policia italiane me akuzën se kishin punësuar një shtetase moldave 30 vjeçe, e cila ka kryer brenda javës grabitjen e të paktën tri makinave luksoze në rajon. Sipas mediave italiane, moldavja, me banim të rregullt në Itali, u arrestua ndërsa po tentonte grabitjen e një automjeti luksoz “Porche Carrera”. Policia bëri të ditur se ka arritur të gjejë gjurmët e njërit prej shqiptarëve në banesën e shtetases moldave, ndërsa për shqiptarin tjetër nuk ka ende shumë të dhëna. Natën e fundit para arrestimit, moldavja mësohet se kishte hapur dyert e një Porche-i, ndërsa pak orë më parë kishte grabitur edhe dy makina të tjera, një Porsche tjetër dhe një Chevrolet Matiz. Shtetasja me iniciale S. F. mbahej në vëzhgim nga policia dhe u arrestua pak minuta pas grabitjeve. Hetuesit thonë se shqiptarët akuzohen edhe për disa plaçkitje banesash. Vajza ishte takuar një natë më parë me shqiptarët që i kishin lënë si detyrë vjedhjen e automjetit luksoz. Pasi kishte grabitur makinën, moldavja 30-vjeçare kishte vendosur në bagazhin e saj çantën me mjetet e grabitjes, disa dorashka për të mos lënë gjurmë, si dhe çelësa e pajisje të tjera për korruptimin e siguresave të dyerve.

“Hëna e plotë”, pranga 4 të rinjve, bllokohen 7.2 kg Cannabis

TIRANË – “Hëna e plotë” çon në pranga katër të rinj dhe sekuestron 7.2 kilogramë Cannabis sativa. Policia e Tiranës bën të ditur se ka arrestuar katër persona që njiheshin si shpërndarës të rregullt droge në zonën e Bathores, Kamzës dhe Laprakës në Tiranë. Personat e arrestuar janë: Besmir Koleci, 24 vjeç, Ervis Koleci, 19 vjeç, Xhevat Koleci, 19 vjeç dhe Admir Doda, 24 vjeç. Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të operacionit të koduar “Hëna e plotë”. Në momentin e arrestimit u sekuestrua sasia prej 7 kilogramësh e 227.2 gramësh Cannabis sattiva. Policia sqaron se hetimi për kapje e tyre u bë përgjatë 2 muajve, duke aplikuar të gjitha metodat speciale të hetimit. “Në cilësinë e provës materiale u bllokuan gjithsej 7 kg e 227.2 gramë bimë narkotike Cannabis sattiva, së bashku me farat, si dhe 4 telefona celularë. Sipas policisë, sasia e lëndës narkotike u gjend pas një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në një automjet tip “Benz” taksi me targë TR 9310 F, lëndë e cila ishte fshehur në pjesën e sediljes së këtij mjeti, me sasi prej 844 gramësh, ndërsa sasia prej 6177 gramësh bimë narkotike e dyshuar si Cannabis sattiva u sekuestrua në banesën e shtetasit Ervis Koleci. “Po ashtu, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi u gjet edhe një sasi farërash bimë narkotike Cannabis sattiva me peshë 206.6 gramë, e cila ishte e ndarë në qese të gatshme me qëllim kultivimin e saj”, - thuhet në njoftimin e policisë.
Uniformat blu të kryeqytetit po vazhdojnë punën për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë qenë të implikuar në këtë trafik narkotikesh.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›