E Diel, 1 Nëntor 2026

RrOSh:Tirana dhe Prishtina të mbrojnë dinjitetin shqiptar

“Në këtë enciklopedi është shtrembëruar e vërteta shkencore dhe historike rreth autoktonisë së pjesës së popullit shqiptar që jeton brenda kufijve të shtetit të sotëm të Maqedonisë, duke fyer kështu të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe secilin veç e veç. Është e palejueshme që historia e popullit shqiptar të shkruhet në mënyrë tendencioze dhe ofenduese, bazuar në të pavërteta dhe trillime. Cilësimi i popullit të lashtë shqiptar, pasardhës të ilirëve, si ‘malësor’ dhe ardhacak në trojet të cilat banon prej më tepër se 25 shekujsh, është marrëzi absolute”, thuhet në komunikatën e RroSh, transmeton agjencia INA.

 Nëpërmjet kësaj deklarate shprehin indinjatë për moskonsultimin e historianëve dhe intelektualëve shqiptar nga Maqedonia si dhe Akademive në Tiranë dhe Prishtinë rreth çështjeve lidhur me historinë e popullit shqiptar. “Ky veprim, ka një ndikim tejet negativ, vecanërisht në vijim të projekteve antishqiptare të kohëve të fundit për përvetësimin e vlerave dhe personaliteteve historike të kombit tonë me rëndësi universale siç janë Skënderbeu dhe Nëna Tereza, thuhet në reagimin e RrOSh.

Në reagim gjithashtu nënvizohet se kjo “vepër” e ASHAM nxit urrejtje ndëretnike në Maqedoni dhe do të ketë ndikim në ardhmërinë e saj. “Njëkohësisht kërkojmë nga Tirana dhe Prishtina që të jenë më energjike në mbrojtjen e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve, ndaj çdo tendence për përdhosje të këtij dinjiteti dhe krenarisë sonë nga cilido qoftë projekt hegjemonist i fqinjëve”, theksohet në fund të reagimit të lëshuar nga Rrjeti i Organizatave Shqiptare.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›