E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi lobimi në nivelin e duhur

Thaçi, siç transmeton Radio Evropa e Lirë, ka thënë se, presidenti dhe ministri i Jashtëm kanë prezantuar Kosovën me sukses dhe si rezultat i këtij lobimi janë premtuar edhe njohje të reja. “Mendoj se presidenti e tha shumë qartë. Ka qenë një lobim shumë i fuqishëm nga presidenti dhe ministri i Jashtëm”, ka thënë Thaçi.

"Unë dua të besoj në qëndrimet, të cilat i ka prezantuar presidenti nga takimet që ka pasur me lidershipin botëror, nga presidenti Obama dhe liderët tjerë botërorë - kanë qenë takime që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, ka deklaruar se qeveria dhe presidenti, në vend të aktiviteteve ditore diplomatike, kanë zgjedhur një diplomaci më pasive, duke pritur takime apo forume ndërkombëtare, të cilat, ndonëse konsiderohen të rëndësishme, sipas Arifit, nuk i përmbushin kërkesat e Kosovës, e cila ka nevojë për numër më të madh njohjesh.

Sipas Arifit, Qeveria e Kosovës dhe i tërë aktiviteti lobues kryesisht mbështeten në aktivitetin e miqve tanë ndërkombëtarë.

“Nuk ka punë sistematike të lobimit, nuk ka sistem lobues. Qeveria e Kosovës dhe i tërë aktiviteti lobues kryesisht mbështeten në aktivitetin e miqve tanë ndërkombëtarë. Kundërshtarët e pavarësisë nuk janë aq të ligë dhe përderisa ata janë aktivë në baza ditore, aktiviteti ynë kryesisht është i përqendruar në konferenca të llojit siç është Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara”, tha Arifi.

Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka thënë se puna e Qeverisë dhe institucioneve në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shkallës së demokracisë në vend, do të jetë lobimi më i mirë për Kosovën.

Sidoqoftë, parti politike, por edhe analistë i kanë sugjeruar në vazhdimësi qeverisë që të shtojë lobimin për njohje të reja, duke angazhuar edhe figura politike nga jashtë, që njihen si përkrahës dhe miq të Kosovës.

Deri tani, një aktivitet të pavarur diplomatik ka zhvilluar edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, kurse shumë diplomatë ndërkombëtarë gjatë vizitave të tyre në Kosovë nuk e kanë fshehur se kanë qenë të angazhuar në mbështetje diplomatike për Kosovën, por me nismat e tyre dhe jo të Prishtinës zyrtare. (rel/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›